
20 per qind TVSH per banesat ne pallatet e reja
Qeveria do të vendosë Taksën mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për apartamentet e reja, ndërkohë që shumë shpejt pritet të nisë projekti i ndërtimit të kadastrës fiskale për regjistrimin e të gjitha pasurive të patundshme.
Këto janë zhvillimet më të mëdha që do të pasojnë diskutimin e paketës fiskale 2016 që, sipas Ministrisë së Financave, duhet të jetë gati deri në qershor. Aplikimi i TVSH për banesat e reja ishte në plan për këtë vit, por pritet të finalizohet më 2016. Sipas ekspertëve, kjo taksë do të çojë në rritje të çmimeve deri në 20 për qind. Llogaritet se janë rreth 72 mijë apartamente të reja të pashitura të cilat, do të bëhen të parat objekt i kësaj takse.
Në parim çdo apartament i ri (i sapondërtuar) do të tatohet 20 për qind në momentin e shitjes. Një problem që do të dalë për zbatimin e këtij ligji do të jetë çështja e apartamenteve të shitura me marrëveshje mes ndërtuesve dhe qytetarëve para përfundimit të objekteve, pra para regjistrimit në hipotekë. Aktualisht, kompanitë ndërtuese paguajnë vetëm tatimin mbi fitimin. Një nga ankesat e ndërtuesve ka qenë se e paguajnë këtë taksë edhe për apartamentet e pashitura.
Kadastra
Sipas burimeve nga Financat, ka nisur puna për përgatitjen e kadastrës fiskale, që do të jetë një platformë online e të gjitha pasurive të paluajtshme. Me këtë lëvizje, qeveria synon zgjidhjen përfundimtare në mbledhjen e taksave për pronat e paluajtshme dhe do të minimizojë informalitetin në këtë sektor. Sipas ekspertëve, vlerësimi për taksën e pasurisë do të bëhet automatikisht në bazë të çmimeve të tregut, që miratohen për çdo zonë me vendim qeverie.
Deri tani, pushteti vendor ka dështuar në mbledhjen e kësaj takse, duke shënuar nivele të ulëta të arkëtimit. Taksa e pronës zë vetëm 1% të PBB në Shqipëri, ndërkohë që në vendet e BE-së, mesatarja është 6% e PBB-së. Qëllimi i kadastrës do të jetë konsolidimi i të gjitha të dhënave ekzistuese mbi truallin, ndërtesat dhe pronarët, banorët dhe për të llogaritur detyrimin tatimor vjetor të shoqëruar me secilën pronë.
Çdo prone do t’i jepet një numër unik identifikimi dhe qoftë pronari i ligjshëm, nëse dihet, apo banori, së bashku me numrin kombëtar identifikues për atë person apo subjekt. Lidhur me konfliktet e pronësisë, njësia përgjegjëse për kadastrën nuk do të ketë autoritetin për të zgjidhur padi ligjore kontradiktore apo për të verifikuar pronësinë.
Tatimi i qirasë
Duke shqyrtuar hapësirat e mundshme për evazion fiskal, specialistët e Tatimeve kanë dalë në përfundimin se nevojitet të ketë një tabelë reference për qiratë e pronave të patundshme, ashtu siç ka për çmimet e shitjes së pasurive, sipas zonave të vendit dhe sipas pozicionit të vendosjes në hartat urbane. Kjo do të shmangte evazionin lidhur me pagesën e tatimit mbi të ardhurat, ku hyn edhe qiraja, sidomos për objektet që jepen për biznes. “Nuk ka qira 50 mijë lekë për lokale në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet, por megjithatë deklarohen vlera të tilla”, deklarojnë specialistët e Tatimeve, duke marrë si shembull rajonin më të shtrenjtë të Tiranës.
Ndërtuesit
Një nga propozimet e ngritura edhe vitin e kaluar nga ndërtuesit ka të bëjë më tatimin në burim, që propozojnë të ndahet me pronarin e truallit. Luan Bregasi, kreu i shoqatës “Biznes Albania” dhe përfaqësues i 25 organizatave, e ka mbrojtur këtë kërkesë në Kuvend gjatë diskutimit të paketës fiskale 2015.
Sipas Bregasit, ligji nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat” duhet ndryshuar në nenin 20, paragrafët 3 dhe 4. “Që të mos bëjmë bilance fiktive, është propozuar që edhe pronari i truallit, i cili bashkinveston me firmën e ndërtimit në tokën e tij, dhe nuk është vlerë e vogël, por gati 30% e vlerës, kur të regjistrojë apartamentet, të paguajë tatimin në hipotekë, siç e paguan sipërmarrja”, ka përkufizuar propozimin e tij Bregasi.
Nuk dihet nëse, do të ketë sërish kërkesa të tilla, por Ministria e Financave ka deklaruar se propozimet e grupeve të interesit dhe të shoqatave të biznesit duhet të bëheshin me shkrim deri në datën 22 prill 2015. Deri tani, sipas Ministrisë së Financave ka pasur një pjesëmarrje të ulët të grupeve të interesit për paketën fiskale të vitit të ardhshëm./Gazeta Shqip
Më të lexuarat








