Fshatrat e reja turistike, qeveria do te marre rolin e zhvilluesit
Në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit shteti do të marrë rolin e zhvilluesit si dhe do të përfshihet në forma të ndryshme partneriteti.
Ligji i ri për Turizmin, i cili është për diskutim në Kuvend parashikon që pasuritë e paluajtshme në pronësi të shtetit apo të njësive të qeverisjes vendore, që ndodhen brenda zonave me përparësi zhvillimin e turizmit, brenda dy muajve nga miratimi i zonës, kalojnë në administrim të ministrisë përgjegjëse për turizmin, në këtë rast Ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe Turizmit.
Ministria përgjegjëse për turizmin nënshkruan marrëveshje zhvillimi me investitorët në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, në të cilën parashikohen të drejtat dhe detyrimet e palëve. Në rastin e investimeve në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, parashikohet vënia në dispozicion e pasurisë së paluajtshme për ndërtimin e strukturave akomoduese dhe strukturave të tjera turistike. Kohëzgjatja e vënies në dispozicion është deri në 99 vjet. Vënia në dispozicion e pasurive të paluajtshme shtetërore mund të bëhet edhe nëpërmjet kontratës simbolike 1 Euro.
Me qëllim tërheqjen e investitorëve dhe nxitjen e investimeve në turizëm, me miratimin paraprak të ministrisë përgjegjëse, është parashikuar që:
1-Transferimi i veprimtarisë, si e tërë apo i një pjese të aksioneve te të tretët, të bëhet vetëm me miratimin e ministrit përgjegjës për turizmin, pa ndryshuar objektin e veprimtarisë; 2- Transferimi i pronësisë te të tretët, i strukturave të veçanta akomoduese, të bëhet vetëm me miratimin e ministrit përgjegjës për turizmin, pasi këto 7 struktura të jenë paraqitur të detajuara në projektin e investimit dhe si aneks i veçantë i marrëveshjes me investitorin. Përveç sa më sipër, për investimet me statusin “Investime Strategjike të Veçanta” në turizëm është parashikuar edhe: • transferimi i së drejtës së pronësisë të pasurive të paluajtshme shtetërore tek investitori privat, nga ana e Këshillit të Ministrave, rast pas rasti: • Kur vlerësohet nga Këshilli i Ministrave, marrëveshja për realizimin e investimit strategjik miratohet me ligj të posaçëm në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Gjithashtu, për të gjitha investimet strategjike pranë brigjeve të detit dhe liqenit parashikohet që: • Të vihet në dispozicion një hapësirë e plazhit, në raport me kapacitetin e strukturës akomoduese; • Në rastet kur një strukture turistike i nevojitet një port turistik apo pontil i përhershëm, si infrastrukturë mbështetëse, ministria përgjegjëse për turizmin i propozon Këshillit të Ministrave shpalljen e portit turistik apo pontilit të përhershëm, në funksion të kësaj strukture turistike.
Në rastin e investimeve jashtë zonave me përparësi zhvillimin e turizmit, leja e ndërtimit, që lëshohet nga autoriteti vendor i planifikimit, duhet të marrë pëlqimin paraprak të ministrisë përgjegjëse për turizmi./Monitor