Secondary Adv

Pensionet e reja, ja kush do te perfitoje rritje mbi 5 mije leke

 

Gjatë shpërndarjes së librezave të pensioneve në qytetin e Fierit, Kryeministri Edi Rama zbuloi, për herë të parë se kush përfiton shtesë mbi 5 mijë lekë në pensionin e tij, me skemën e re. 


Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, ishin ditën e djeshme në Fier ku shpërndanë pensionet sipas skemës së re për disa të moshuar, e cila ka nisur të zbatohet nga 1 janari 2015 dhe ka dhënë efektet e para pozitive në xhepat e pensionistëve.
“Askush nuk mund të tallet me ju, sic është tallur 20 vite me radhë. Sa më shumë vite kontribute të derdhen aq më i lartë është pensioni. Ja një shembull ku një naftëtar, që ka 46 vite punë, ka kontribuar për 46 vite rresht, me skemën e vjetër do të merrte jo më shumë se 24 500 lekë, por me reformën e re do të marrë 31.500 lekë. Një shtesë prej 7 mijë lekë, që i mohoej më parë, tashmë do të jetë pjesë e pensionit të tij”, - përmendi Rama, gjatë dhënies së librezës së pensionit, të një naftëtari nga Fieri.


Gjithashtu Kryeministri tha se edhe mësuesit marrin rritje mbi 5 mijë lekë, ndërsa deri në 31 dhejtor 2014 përfitonin pensionin tavan të skemës së vjetër, i cili sipas tij penalizonte të gjithë të moshuarit. Duke i dhënë librezën e pensionit, një inxhiniere e cila paguante kontributet mbi pagën e plotë, Kryeministri vlerësoi zgjdhjen e saj që shtyu pensionin për 1 vit, duke përfituar një rritje nga 24 500 lekë në 31.000 lekë.
“Kjo tregon qartë se kush është i deklaruar me pagën e plotë, nuk do të varet më nga tavani i pensioneve të qeverisë së kaluar, por do të përfitojë rritje si zonja në fjalë e cila, merr sot 6 500 lekë më shumë”, - tha Rama. Kryeministri theksoi se kush paguan kontribute mbi pagën reale, kush ka më shumë vite kontribute dhe kush e shtyn moshën e pensionit, merr përfitime më të larta.


Rritja
Nga ana e tij ministri i Mirëqenies Sociale Erion Veliaj, theksoi se pensionistët e rinj përfitojnë rritje duke filluar nga 1 janari 2015.  “39 mijë pensionistë që dalin çdo vit në pension, këtë vit do ta kenë pensionin më të lartë se ç’do ta kishin po të dilnin vjet. Vitin tjetër, këtë fat do ta kenë edhe 39 mijë apo 40 mijë të tjerë. Në fund të këtij mandati, 120 mijë vetë do të jetojnë më mirë, sepse kanë një pension më të lartë. Për mua kjo është politika, që çdo vit më shumë njerëz të kenë një jetë më të mirë”, - tha Veliaj.
Gjithashtu ministri i Mirëqenies Sociale përmendi se njerëzit e thjeshtë do të kalojnë nga një pension 22 në 30 mijë lekë. “Për njerëzit e thjeshtë të të kaloj pensioni nga 220 në 300 është më shumë lek në xhep. Vetëm kështu mund të sjellim çdo vit ndryshimin e nevojshëm për pjesën më të varfër e më të këputur të shoqërisë”, - u shpreh ministri Erion Veliaj. Gjithashtu Veliaj tha se reforma e re sjell që “5 mijë pensionistë, gjyshe e gjyshër, këtë vit përfitojnë pensionin social, ndryshe nga një vit më parë kur ata nuk përfitonin asgjë sepse nuk i kishin plotësuar vitet minimale të sigurimit”.


Si përfitohet një pension më i lartë me skemën e re?
Formula e re e pensioneve P=PS+Sh, u jep mundësi punonjësve apo të moshuarve që janë në prag pensioni të marrin përfitime më të larta. Nëse më parë kishte një tavan prej 24 500 lekë, mbi këtë shifër nuk mund të merrej asnjë shtesë në pension, pavarësisht viteve të kontributeve dhe pavarësisht pagës. Skema e re të jep mundësinë që për çdo vit që janë derdhur kontributet dhe sa me të larta të kenë qënë ato, aq më shumë përfitohet.
Një punonjës, i cili ka punuar në shtet për 40 vite, me pagë 55 mijë lekë më parë përfitonte 24 500 lekë. Duke e bazuar te formula e re pensioni që do të merret është 6750 lekë(pensioni social) + 22 000(shtesa 1% mbi pagën, për çdo vit kontribut të derdhur), dhe përfitohet 28 750 lekë.


Gjithashtu përfitohet dhe 1% shtesë, për çdo vit kur shtyhet mosha e daljes në pension dhe vazhdohet të derdhen kotribute. Rritje përfitojnë të gjithë individët, edhe ata me paga 25 000 lekë, 30 000 lekë etj. Po kështu rritje të pensioneve me skemën e re marrin edhe punonjësit që kanë derdhur kontribute me pagë minimale si dhe të vetpunësuarit në buqësi. Nëse me pagën minimale dhe për të vetpunësuarit në buqësi, me skemën vjetër merrej 14 200 lekë (duke bashkangjitur dhe kompensimet), me skemën e re përfitohet 14 400 lekë dhe kompensimi i energjisë elektrike jepet më vete.


Më të lexuarat