KLSH rrezon Institutin e Ndertimit: Jo efektiv, punonjesit jashte profilit e pa eksperience
Një auditim nga KLSH mbi garantimin e cilësisë së ndërtimit të objekteve në vend arrin në përfundimin se Instituti i Ndërtimit nuk është në gjendje të përmbushë këtë detyrë.
Një auditim i kryer nga KLSH mbi garantimin e cilësisë së ndërtimit të objekteve në vend arrin në përfundimin se Instituti i Ndërtimit nuk është në gjendje të përmbushë këtë detyrë, ndërkohë që ka në radhët e tij punonjës jashtë profilit e pa eksperiencë. Scan ka zbardhur raportin e Auditimit të KLSH mbi këtë institucion, i cili arrin në përfundimin se veprimtaria e Institutit të Ndërtimit për të ndikuar në sigurimin e cilësisë në objektet ndërtimore nuk ka qenë efektive. Çështjet e sigurisë së cilësisë për veprat e ndërtimit duhet t’i besohet një institucioni kompetent dhe të garantohet me ligj, I cili do të ishte i domosdoshëm për ngritjen e këtij institucioni.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë duke mos u angazhuar në plotësimin e kuadrit ligjor mbi organizimin dhe funksionimin e Institutit të Ndërtimit, i cili prej 15 vjetësh funksionon në zbatim të Urdhrit të Ministrit të Punëve Publike nr. 225, date 29.06.2014 “Për Krijimin e Institutit e Ndërtimit”, ka dështuar të plotësojë kuadrin ligjor që do të ndikonte në sigurimin e cilësisë së objekteve të ndërtimit, nëpërmjet kontrollit të cilësisë së produkteve dhe dhënies së oponencave teknike për objektet ndërtimore.
“Mungesa e një stafi të kompletuar teknikisht, rekrutimi i punonjësve jashtë profili dhe pa eksperiencën e domosdoshme, si dhe mungesa e një laboratori të paakredituar, ka sjellë dhënien e oponencave jocilësore dhe mungesën e kontrollit të produkteve ndërtimore, duke e kthyer këtë institucion në një zyrë të thjeshtë punësimi që siguron të ardhurat për vetfinancim” thekson në raport KLSH. Baza ligjore e funksionimit të Institutit të Ndërtimit është e pamjaftueshme.
Krijimi i këtij institucioni (me objekt kryesor të punës, një fushë shumë të rëndësishme),me një urdhër të ministrit, si dhe funksionimi i tij në zbatim të një rregulloreje të miratuar vetëm nga Drejtori i Përgjithshëm, krijojnë mundësinë e mosfunksionimit normal të IN. “Materiali i hartuar për rregullat dhe hapat që ndiqen gjatë kryerjes së oponencës teknike është i pa detajuar dhe nuk arrin t’i shërbejë dhënies së një oponence teknike cilësore dhe profesionale, lidhur me projektet e hartuara, për t’i shërbyer sa më mirë garantimit të sigurisë së objekteve ndërtimore”, konkludon në raport Kontrolli i Lartë i Shtetit./Burimi: Scan