
Punesimi ne Shqiperi, 58 per qind jane te vetepunesuar dhe punonjes pa page
“Punësimi i brishtë” vazhdon të jetë i lartë në Shqipëri, sipas të dhënave të Bankës Botërore, që i referohet vitit 2013. Megjithatë gjatë tremujorit të fundit të vitit 2014, mbështetur në të dhënat e INSTAT-it, kjo kategori shënoi një ulje të lehtë me 0.3% në raport me një vit më parë.
Teknikisht “punësimi i brishtë” përfshin të vetëpunësuarit (punëdhënës ose të vetëpunësuar pa të punësuar të tjerë me pagë) të cilët përbëjnë 27,5% të punësimit në tërësi, si dhe punëtorët pa pagesë të familjes përbëjnë 30,2% të punësimit total. Një vit më parë, sipas Bankës Botërore, ky tregues ishte 58% e numrit total të të punësuarve. Kjo përqindje ishte më e lartë tek femrat me 62% dhe pak më e ulët te meshkujt, me 55%.
Në krahasim me vendet e rajonit, kjo shifër është më e lartë. Për shembull, në Maqedoni “punësimi i brishtë” është në nivelin 23% të totalit, në Serbi, 29%, në Bosnjë dhe Hercegovinë 25%, ndërsa në vendet e zhvilluara ky tregues është mesatarisht më i ulët. Pesha shumë e lartë e këtij lloj punësimi flet për një shkallë të ulët të zhvillimit të sipërmarrjes private. Sipas raportit të Bankës Botërore, “punësimi i brishtë” shoqërohet me pasigurinë për vendin e punës, të ardhura të pakta dhe stresin e një perspektive të paqartë. Gjatë tremujorit të katërt 2014, pesha që zënë në punësimin total të punësuarit me pagë është 42,3%.
Sektoret me shkallën më të lartë te punësimit
Sipas Anketës së Forcave të Punës, të kryer nga INSTAT për tremujorin e fundit të vitit të kaluar, 41,8% e të punësuarve janë të angazhuar në sektorin e bujqësisë dhe 22,5% e të punësuarve punojnë në sektorin e shërbimeve të tregut (tregtia me shumicë dhe pakicë; riparimi i automobilave; hotelet dhe restorantet; transportet, magazinimi dhe komunikacioni; ndërmjetësimi monetar dhe financiar; pasuritë e patundshme). Punësimi në sektorin e shërbimeve jo të tregut (administrimi publik dhe i mbrojtjes; sigurimi shoqëror i detyruar; arsimi; shëndetësia dhe veprimtari të tjera sociale; aktivitete të tjera të shërbimit kolektiv; social dhe individual; shërbime në shtëpi; aktivitete të organizmave ndërkombëtare) përbën 17,1% të punësimit total. Kurse të punësuarit në industrinë përpunuese përbëjnë 9,3% të totalit.
Ritmi i rritjes së punësimit sipas sektorëve nga tremujori i tretë në tremujorin e katërt 2014 është: 9% në industrinë përpunuese; 1,6% në ndërtim. Pati rënie të numrit të të punësuarve në aktivitetet bujqësore prej 3,1% dhe në industrinë nxjerrëse, Energjisë dhe ujit prej 4,3%. Shkalla e punësimit është më e lartë për të punësuarit me arsim profesional (65,5%), pasuar nga ata me arsim të lartë (64,9 %). Të dhënat tregojnë se përqindja e të punësuarve me pagë është më e lartë për personat me arsim të lartë dhe e kundërta vërehet tek të punësuarit me arsim 8 ose 9-vjeçar ku mbizotërojnë punëtorët pa pagesë të familjes.
Po të analizojmë të punësuarit me arsim të mesëm, sipas anketës së INSTAT, shkalla e punësimit është më e lartë për personat me arsim të mesëm profesional krahasuar me personat që kanë kryer shkollën e mesme të përgjithshme, përkatësisht 65,5 dhe 45,5%. Një në pesë të punësuar të grup-moshës 15-64 vjeç me arsim 8/9-vjeçar janë të punësuar me pagë, afro gjysma janë punëtorë pa pagesë të familjes, dhe një e treta e tyre janë të vetëpunësuar. Pesha që zënë të punësuarit me pagë rritet me rritjen e nivelit arsimor.
Nga të punësuarit me arsim të lartë, 86,7% janë të punësuar me pagë dhe vetëm 3% janë të punësuar si punëtorë pa pagesë të familjes. Te të punësuarit me arsim të mesëm profesional dhe me arsim të mesëm të përgjithshëm, përqindjet që zënë të punësuarit me pagë janë përkatësisht 48,2 dhe 49%. INSTAT konsideron si të punësuar edhe personat që marrin pagë për trajnimin gjatë punës, si dhe personat që kanë munguar përkohësisht në punën e tyre gjatë javës së referencës për arsye: leje lindje, sëmundje, lëndim apo paaftësi e përkohshme; punëtoret pa pagesë që presin të kthehen në punë në tre muaj ose më pak. Gjithashtu, personat të cilët punojnë në fermën e tyre të vogël, të cilët nuk shesin produktet e tyre, por prodhojnë vetëm për vetëkonsum, janë konsideruar të punësuar./Gazeta Shqip
Më të lexuarat









