Vijon rritja e numrit te rasteve me Covid: 78 te infektuar ne 24 oret e fundit
Në 24 orët e fundit në vendin tonë janë regjistruar 78 raste me COVID-19.
Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 344 testime për të dyshuar të prekur me Covid19 nga të cilat janë konfirmuar 78 raste pozitive. Një pjesë e mirë e rasteve ditore lidhen me kontakte të rasteve të mëparshme pozitive, ndërkohë që vazhdon hetimi për raste të reja. Numrin më të lartë të të prekurve ditorë e ka Shkodra me 14 raste, në Krujë janë identifikuar 13 të prekur, Tirana ka 12 raste, 9 janë identifikuar në Pukë, 6 në Delvinë, nga 4 raste në Gjirokastër, Vlorë, Kukës, nga 2 raste në Kamëz, Durrës, Fier, dhe nga 1 rast përkatësisht në Kurbin, Korçë, Kavajë, Lushnje, Mirditë, Pogradec. Ndërkohë që në spitalin infektiv aktualisht po trajtohen 76 pacientë, 14 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 2 janë të intubuar.
Lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 33 qytetarë, duke e çuar në 1250 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Në vendin tonë janë aktualisht 894 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet të gjithë qytetarëve të respektojnë masat e vendosura, ndërsa bizneset të zbatojnë protokollet e miratuara të sigurisë. Qytetarë, mbani duart të pastra dhe mos e prekni fytyrën. Lani duart sa më shpesh për të paktën 20 sekonda. Ruani distancën fizike në ambientet publike. Kudo kur kjo nuk është e mundur, vendosni maskë apo barrierë mbrojtëse.
Bizneset të sigurojnë vazhdimisht elementët e higjienës si sapun, letër për pastrimin e duarve, dezinfektantë. Siguroni ajrosjen e mire, pastrimin dhe desinfektimin e ambjenteve të punës. Përdorni maskat apo barrierat mbrojtëse gjatë kohës që u shërbeni qytetarëve. Task forca anti-covid nuk do të tolerojë shkelje të rregullave të sigurisë duke e konsideruar rrezik për shëndetin e qytetarëve. Mininistria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet qytetarëve të shmangin vendet me grumbullime, pasi janë burim për përhapjen e infeksionit. Kontaktoni nëpërmjet linjës së gjelbër 0800 40 40 me mjekun e familjes për barnat me rimbursim, apo infromacion për Covid19. Nëse dyshoni se jeni të prekur duhet të qëndroni të izoluar dhe telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare, 127.