Secondary Adv

Rikthehet ne treg nafta Made in Albania

Nafta e prodhuar në Patos-Marinëz po shënon këtë vit revolucion në tregun vendas. Importet e karburanteve kanë rënë me 20% këtë tremujor. Shoqata e Hidrokarbureve pohon se zhdoganimet e karburanteve janë zëvendësuar me naftë vendi, pasi shifrat e konsumit tregojnë për një rritje 5 mijë tonë krahasuar me tremujorin e parë 2104.

 

Nafta që nxirret në vend po përmbush nevojat e konsumit të brendshëm me rreth 30%, pas hyrjes në punë të ish-rafinerisë shtetërore ARMO. Kjo tendencë mbështetet nga rënia e importeve të karburanteve me mbi 20% në tremujorin e parë të vitit dhe rritjen e konsumit në të njëjtën periudhë me rreth 5 mijë tonë më shumë se gjatë vitit të kaluar, sipas të dhënave të Shoqatës së Hidrokarbureve.


Duke qenë se Shqipëria është një vendburim potencial i naftës në Europë, puna e do që tregu vendas të jetë pjesë e konsumit të mallit të vet, por duket se zinxhiri që nga nxjerrja deri te konsumatori në periudha të ndryshme ka shfaqur probleme teknike dhe financiare, të cilat kanë prekur edhe cilësinë. Më parë kur rafineria e Ballshit ka qenë në pronësi të shtetit, nafta e vendit zinte rreth 25-30% të tregut vendas në shitjet e pakicës. Por, pas privatizimit të rafinerisë, funksionimi i saj hasi në probleme, të cilat bashkë me çmimet e larta që ofronte tregu ndërkombëtar, bënë që nafta shqiptare të destinohej për tregjet e huaja.


Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Energjetikës mësohet se, sasia e naftës bruto që përpunohet në vend jep vetëm 25% naftë të pastër, të përshtatshme për konsum final. Prodhuesi më i madh i naftës në vend, Bankers Petrolium, ka pohuar se, këtë vit po shet për ARMO-n, 45% të prodhimit, rreth 88 mijë fuçi në ditë nga 19,767 që prodhohet gjithsej. Por, pavarësisht se nafta e vendit del në treg me kosto më të ulët se importi, për shkak të eliminimit të shpenzimeve të transportit, por edhe të cilësisë saj, kjo nuk ka ndikuar në zbutjen e çmimeve.


Megjithë uljen në tregun ndërkombëtar, çmimet e naftës në Shqipëri kapin nivelin më të lartë në rajon dhe vendet më të zhvilluara të Europës, duke e thelluar edhe më tej paradoksin ku vendi me prodhimin më voluminoz të naftës në Europë ofron edhe çmimet më të larta për qytetarët e saj.


Rikthimi i ARMO-s
Pak kush e besoi se, shitja e ARMO-s nga grupi Taçi Oil tek azerët, Heaney Assets Corporation, në gusht të vitit 2013, do të sillte ditë të mbara për rafinerinë më të madhe të përpunimit të naftës në vend. Sipas të dhënave nga Ministria e Energjetikës, nga 60 mijë tonë që kishte përpunuar ARMO në vitin 2013, kjo sasi më 2014 arriti në 260 mijë tonë, ndërsa këtë vit pritet që nafta e përpunuar të arrijë në 600 mijë tonë.
Nga përpunimi i këtyre sasive, vetëm 25% del naftë e pastër që shitet në tregun vendas nga kompania e pakicës Gulf dhe një pjesë tjetër eksportohet në Maqedoni. Nga 260 mijë tonë të përpunuara vitin që shkoi, 65 tonë ka rezultuar naftë e pastër, ndërsa këtë vit pritet që nafta e përpunuar në vend gati për konsum të jetë 150 mijë tonë.


Gjatë vitit të kaluar, importet shënuan rreth 550 mijë tonë. Burimet nga Ministria e Energjetikës pohojnë se, kapaciteti përpunues i naftës në dy uzinat në zonën e Fierit që zotërohen nga ARMO janë 1.5 milionë tonë në vit, por me teknologjinë e re të instaluar, aktualisht po synohet të shfrytëzohet gjysma e kapacitetit përpunues.
Nëse ARMO vendos në punë të gjithë kapacitetin përpunues, atëherë nafta e gatshme për konsumin do të jetë 375 tonë, duke përmbushur gati 60% të nevojave në vend. Në vitin 2018, kur kompania ishte në pronësi të shtetit, zinte 25% të tregut të brendshëm në tregtimin e karburanteve dhe 100% të tregut për bitum, mazut etj. Pikërisht për këtë pozicion, ARMO atëherë u shit me 128 milionë euro. Por peripecitë që kaloi blerësi i saj, biznesmeni Rezat Taçi, çuan në deficencë përpunimin për rreth tre vjet.


Sipas të dhënave të raportuara në bilanc, të ardhurat e ARMO-s për vitin 2013 ishin 3.34 miliardë lekë (rreth 24 milionë euro), me një rënie prej 43% me bazë vjetore. Humbjet e kompanisë ishin tepër të mëdha, duke arritur në total 48 miliardë lekë (apo 344 milionë euro), nga 12 miliardë lekë që kishin qenë në vitin 2012.


Humbjet operative u dyfishuan nga 11 miliardë lekë në 23 miliardë lekë në 2013-n, si rrjedhojë e rënies në vlerë të aktiveve financiare, shpenzimeve për provigjione dhe të tjera. Goditjen përfundimtare kompania e mori nga rivlerësimi i pronës, që i shkaktoi një humbje prej 24 miliardë lekësh, duke e dyfishuar humbjen në total.
Gjatë vitit 2014, mbi ARMO-n janë lëshuar përmbaruesit dhe tatimorët për arkëtimin me forcë të detyrimeve. Në gusht 2013, pjesa më e madhe e aksioneve të ARMO-s, iu shit kompanisë azere Heaney Assets Corporation, teksa ky i fundit bleu 80% të Anika Enterprises, që zotëronte 85% të aksioneve të ARMO-s (20% të aksioneve të Anika mbetën në pronësi të Refinery Associates of Texas). Shteti zotëron pjesën tjetër prej 15%.


Nafta e vendit në treg, bien 20% zhdoganimet e karburanteve


Zhdoganimet e karburanteve njohën nivelin më të ulët që nga viti 2012 gjatë dymujorit të parë të vitit 2015. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, importet e karburanteve shënuan rënie prej 21% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Por kryetari i Shoqatës së Hidrokarbureve në vend, Luigj Aliaj, pohon se rënia e importeve të naftës nuk është nxitur nga rënia e konsumit siç kishin pohuar më parë pikat e pakicës, por nga hyrja në treg e naftës së prodhuar në vend. Ndërsa INSTAT ka një konstatim tjetër për konsumin e naftës. Tregtia me pakicë e karburanteve ka shënuar ulje në tremujorin e fundit të vitit 2014 me 0.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas të dhënave të INSTAT mbi ecurinë e tregtisë me pakicë. Ndërsa në krahasim me tremujorin e tretë të 2014-s, ulja ishte edhe më e madhe, 11%. Për shkak të barrës së lartë fiskale, Shqipëria ka humbur konkurrueshmërinë rajonale me çmimet e naftës, të cilat në vendet fqinjë janë 20% më lirë se në tregun vendas. Kjo diferencë në çmime ka bërë që mjetet e tonazhit të rëndë si autobusët, kamionët etj, të furnizohen në Malin e Zi, Kosovë dhe Maqedoni.


Gulf, revolucioni i naftës vendase
Rrjeti global i shpërndarjes së naftës, Gulf, i pranishëm në vendin tonë qysh prej tetorit 2013, po bën revolucionin në shitjen e naftës vendase. Pikat e shitjes me pakicës e kanë të anonçuar që prej vitit që shkoi naftën e vendit me një çmim rreth 4 lekë më lirë se nafta e importit. Nisur nga çmimet e larta të naftës së vendit, duket se shumë konsumatorë i janë drejtuar Gulf.
Operatorët e pakicës në vend pohojnë se, Gulf e zotëron tregun kryesisht në Tiranë, ku nafta shitet 2-5 lekë më shtrenjtë se në rrethe. Aktualisht Gulf ka një rrjet shpërndarjeje prej 46 pikash tregtimi të naftës në të gjithë vendin, nga 1200 të tilla që janë aktualisht, duke zënë kështu 3.8% të tregut të pakicës. Më shumë se 10 pika ndodhen vetëm në Tiranë dhe zonat shumë afër saj.
Një litër naftë vendi, e shitur nga Gulf, kushton 171 lekë aktualisht, ndërsa eurodiezeli i importit kushton 174-176 lekë sipas pikave të pakicës. Nga burimet afër tregut mësohet se nafta e vendit shitet edhe nga operatorë të tjerë të vegjël të pakicës, të cilët nuk e deklarojnë për të tillë dhe e shesin atë njëlloj si me çmimin e importit. Pikat e pakicës së Gulf pohojnë se 50% e furnitorëve zgjedhin naftën vendase që, sipas tyre, nuk ka dallim në cilësi në krahasim me atë të importit.

 

Gega Oil merr me qira pikat e IT Oil

Këtë javë, në rrjetin me pakicë të shpërndarjes së karburanteve ka ndodhur një lëvizje e madhe. Të gjitha pikat It Oil, në Tiranë, dikur Taçi Oil, janë marrë me qira nga Gega Oil. It Oil kishte trashëguar nga rrjeti Taçi Oil rreth 300 pika karburanti në të gjithë vendin, duke u renditur kështu distributori më i madh i pakicës në të gjithë vendin. Por IT Oil duket se humbi konkurrueshmërinë në treg, duke mos trashëguar elasticitetin e çmimeve që tregonte Taçi Oil.


Pikat e pakicës, IT Oil, në zonën e “Siri Kodrës” në kryeqytet pohojnë se kanë pësuar rënie të ndjeshme të xhirove ditore me më shumë se 30% në krahasim me një vit më parë. Gega Oil, që ka marrë me qira IT Oil, sipas ekstraktit në QKR, ka aktivitet në import-eksport, tregti me shumicë e pakicë të karburanteve, lubrifikanteve, vajrave, graso, gaz e lëndë djegëse të të gjitha llojeve dhe kategorive. Në bilancin e dorëzuar në QKR, kompania, grupi Genklaus, që ka si kompani kryesore Gega Oil, ka raportuar të ardhura nga shitjet në vlerën e 11 miliardë lekëve. Sipas QKR, IT Oil ka hequr adresat e rreth 20 stacioneve karburanti në qytete të ndryshme të vendit gjatë muajit prill të këtij viti.


Bankers, 45% të prodhimit e shet në vend
Gjatë vitit që shkoi, Bankers Petrolium vendosi të shesë në tregun vendas gati 30% të prodhimit ditor. Ndërsa këtë vit, sipas të dhënave të kompanisë, do të shiten 45% të volumit të prodhimit në tregun vendas, me një çmim mesatar rreth 74% të brentit. Blerësi i kësaj nafte është kompania ARMO, e cila bën përpunimin e saj.


Kompania Bankers bën të ditur të dhënat operacionale të tremujorit të parë të këtij viti, sipas të cilit, prodhimi ka qenë 19,767 fuçi nafte në ditë, rreth 2,7% më pak se TM4 2014. Bankers njofton se shkaqet për uljen e prodhimit janë: ndërprerja e prodhimit në disa puse me përbërje të lartë uji, për të përshtatur reduktimet e përkohshme të ujit në tremujorin e katërt.Përveç kësaj, në fillim të shkurtit, Shqipëria përjetoi përmbytje të mëdha që i shkaktuan Bankers mbylljen e 81 puseve në zonën veriore dhe qendrore të fushës naftëmbajtëse të Patos-Marinzës për shkak të aksesit të kufizuar në sipërfaqe.

Përpunimi i naftës, 15 impiante përveç ARMO-s


Qeveria sapo ka miratuar një vendim për të vënë nën kontroll impiantet e përpunimit të naftës në vend. Ekspertët në Ministrinë e Energjetikës thanë se, janë rreth 15 impiante të tilla në të gjithë vendin, por që përpunojnë disa nënprodukte të naftës.
Nuk përjashtohen rastet që kur këto impiante janë përdorur për të përpunuar naftë të kundërligjshme dhe duke e hedhur në treg kundrejt të gjitha rregullave për parametra të cilësisë. Shumica e këtyre impianteve janë në zonën e Fierit. Por sipas VKM-së së fundit të qeverisë, këto impiante do të përfshihen në rilicencim dhe do të futen në një kontroll ligjor për të frenuar përdorimin e kundërligjshëm të tyre.


Me ndryshimet ligjore, parashikohet licencimi i këtyre impianteve për kategori të caktuara të prodhimeve që bëjnë kartën teknologjike që do kenë. Në bazë të licencës dhe kategorisë ku licencohen, do të mund të kontrollohen e do të merren masat e duhura nëse shkelin detyrimet që u caktohen./Monitor


Më të lexuarat