Pas heqjes se TVSH ne diskutim edhe pragu i tatimit: Ekziston mundesia e rritjes
Është drejt finalizimit drafti për heqjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar dhe të tatim-fitimit për biznesin e vogël me xhiro vjetore 14 milionë lekë xhiro, me jetëgjatësi deri në vitin 2029.
Burime konfidenciale për Report TV konfirmojnë faktin se diskutimet tashmë janë përqendruar tek TVSH-ja, e cila sjell edhe më shumë të ardhura në buxhet, dhe që është nga zërat kryesorë në të ardhurat tatimore. Ndërsa për tatim-fitimin vendimi është marrë për tu hequr plotësisht. Të njëjtat burime thonë se për të arritur në një draft final, pa kosto për biznesin dhe të zbatueshëm, Ministria e Financave po bashkëpunon ngushtë edhe me FMN-në, e cila gjithmonë ka kritikuar ndarjen në fasha tatimore të bizneseve. Aktualisht mësohet se janë disa versione që po diskutohen për heqjen e TVSH-së, por dy janë alternativat kryesore.
Mundësia e parë është heqja totale e TVSH-së për biznesin e vogël, siç premtoi edhe kryeministri Edi Rama më 10 qershor një ditë pasi u mor eurobondi prej 650 milionë euro. Ndërsa versioni i dytë i mundshëm është rritja e pragut të TVSH-së. Sipas burimeve po shikohet mundësia që të mos paguajnë TVSH, bizneset me xhiro vjetore deri në 8 milionë lekë, pra ky të jetë pragu i ri që ndan biznesin e vogël nga biznesi i madh. Për Fondin Monetar Ndërkombëtar nuk duhet të ketë fasha biznesesh, por të gjithë të paguajnë këtë tatim, ide që e mbështesin edhe ekspertët të cilët thonë se krijimi i fashave lë hapësira për evazion fiskal.
Por që ende nuk ka një reagim zyrtar nga institucionet e huaja për këtë program afatgjatë të qeverisë. Por në këtë paketë që do të jetë për 9 vitet e ardhshme për bizneset, po analizohet edhe mundësia që të përfshihen reduktime të tjera taksash. Gjithçka finale dhe paketa e re fiskale pritet të prezantohen javën e parë të muajit korrik, ndërsa javën e ardhshme do të publikohet drafti i rishikuar i buxhetit të shtetit./Burimi: Shqiptarja.com