Secondary Adv

Ja kriteret e reja te legalizimit per 55 zona informale ne Tirane

ALUIZNI ka zbardhur 55 zonat informale në kryeqytet ku do të aplikohen kushte lehtësuese për legalizimin e objekteve pa leje.


Këto ndryshime, të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave më datë 1 prill, parashikojnë kritere të ndryshme për legalizimin e ndërtimeve në sipërfaqet e njohura zyrtarisht si zona informale në raport me ndërtimet që shtrihen jashtë tyre. Agjencia ka bërë gjithashtu publike hartën me sipërfaqet ku shtrihen këto zona në çdo njësi bashkiake, bashkë me drejtorinë që do kryejë procesin e legalizimit. Të tëra zonat të marra së bashku zënë një sipërfaqe totale prej 7,411 hektarësh.


Zbardhja e këtyre zonave u bë pas një vendimi të qeverisë që mban datën 10 shtator 2014 ku përcaktoheshin procedurat “të evidentimit faktik në terren të ndërtimeve pa leje, shtesave në ndërtime me leje, të organeve dhe dokumentacionit për propozimin dhe miratimin e zonave informale”. “Drejtoritë në varësi të Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit ë Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI) duhet të kryejnë procedurat e evidentimit në terren, të përgatin dokumentacionin e gjendjes faktike të ndërtimeve informale, si dhe të hartojnë dokumentacionin teknik e ligjor për zonën informale”, përcakton vendimi i qeverisë.


Ndryshimet
Ndryshimet në procedurat e legalizimeve u ndërmorën nga qeveria, pikërisht pasi nuk trajtonte në mënyrën e duhur problemin e objekteve që gjendeshin brenda zonave informale, dhe të atyre që gjendeshin jashtë tyre. Nga mungesa e këtij diferencimi krijoheshin shumë mosmarrëveshje të cilat bllokonin legalizimin e shumë objekteve. Një prej ndryshimeve më thelbësore të vendimit të kësaj jave ka të bëjë pikërisht me përcaktimin e qartë për mënyrën si do legalizohet një objekt brenda zonave informale dhe jashtë tyre.


Zonë informale
Në përcaktimin e Qeverisë, Zonë informale do të konsiderohet territori me sipërfaqe mbi 2 hektarë, i zënë nga ndërtime informale, procesi legalizimitë të cilave nuk u nënshtrohet kushteve të instrumenteve të planifkimit të teritorit. “Drejtoritë në varësi të Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI), për propozimin e zonës informale, orientohen nga: evidentimi faktik i ndërtimeve informale në territorin përkatës; vija kufizuese administrative e njësive të qeverisjes vendore; morfologjia dhe kushtet e relievit; gjendja e pronësisë dhe cilësitë juridike të territorit” përcakton Qeveria.


Kush përjashtohet
Përcaktimet e reja përjashtojnë nga legalizimi rastet kur objekti shkel distancat e lejuara të rrugëve ekzistuese apo cënon sistemin ose shkel brezin mbrojtës të vijës hekurudhore ekzistuese funksionale. Përjashtohet gjithashtu edhe çdo objekt që është ngritur brenda vijës kufizuese të parcelës ndërtimore të ndërtesave publike apo është ngritur në zonën e sigurisë së centraleve prodhuese të energjisë elektrike. Kur është ngritur brenda zonës mbrojtëse të objekteve të trashëgimisë kulturore, në zonë-muze, ansambël-muze, qendër historike dhe park arkeologjik, zonë arkeologjike “A”, apo kur cënon vëllimin ose pamjen e jashtme të monumentit të kulturës, të kategorisë II. Të njëjtin fat objekti pëson dhe në rastet kur është ngritur brenda zonave dhe/ose nënzonave të mbrojtura, apo zonave të ruajtjes së veçantë, shkalla e mbrojtjes të së cilave nuk lejon ndërtime me funksion banimi apo social/ekonomik.


Kur preket nga projektet e infrastrukturës rrugore dhe të sistemeve të linjave energjitike të interkonjeksionit; është ngritur brenda distancës në të cilën nuk lejohen ndërtime, nga brigjet e deteve dhe liqeneve, të përcaktuara në dokumentet e planifikimit të territorit, të miratuara sipas legjislacionit në fuqi” përcakton Këshilli i Ministrave në vendim.


Shtesat
Për shtesat anësore apo në lartësi, kur ndërtimi kryesor është tjetërsuar (është transferuar e drejta e pronësisë), apo nuk rezulton të jetë në pronësi të aplikuesit për legalizim, procedurat e kualifikimit kryhen në emër të pronarit të ndërtimit kryesor, nëse plotëson kushtet e caktuara me ligj.


Skualifikimi, përgjigja brenda 60 ditësh
Ndërtimet që nuk përfshihen në fushën e zbatimit të ligjit, nuk u nënshtrohen procedurave kualifikuese. Për këto ndërtime konstatohet mospërfshirja në procesin e legalizimit, me urdhër të drejtorit të varësisë së ALUIZNI-t, duke argumentuar shkakun ligjor.
Drejtoritë e ALUIZNI-t, bazuar në gjendjen faktike në terren, kryejnë procedurat kualifikuese për ndërtimin informal, brenda 60 ditëve nga data e evidentimit faktik në terren (data e “Procesverbalit të evidentimit në terren”). Në rast mosplotësimi, nga subjekti posedues i ndërtimit informal, të dokumentacionit që duhet të dorëzohet prej tij, brenda 6 muajsh nga njoftimi zyrtar i ALUIZNI-t, ky i fundit informon Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit për të vepruar, sipas legjislacionit përkatës.


Për herë të parë
Për ndërtimet informale, që përfshihen për herë të parë në procedurat e legalizimit, sipas ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, plotësohet deklarata për përfshirje në këtë proces nga subjektet poseduese. “Forma, mënyra e administrimit dhe afati kohor i plotësimit të deklaratës përcaktohen me udhëzim të drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI)” përcakton në vendim qeveria.


Më të lexuarat