Secondary Adv

Austria vendos kushte per kufirin: Karantinim per shtetasit nga Ballkani Perendimor

Austria ka njoftuar se udhëtarët nga Ballkani Perëndimor që duan të hyjnë në vend, duhet të vetëizolohen për 14 ditë ose të kenë certifikatë mjekësore testi negativ nga Covid.

 

Ministri i Jashtëm i Austrisë, Alexander Schallenberg, tha për Reuters se kushtet përfshijnë qytetarët e Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnje Hercegovinës. Masa e Austrisë, është një goditje e veçantë për Serbinë dhe Malin e Zi, vende këto të cilat Bashkimi Evropian, të martën, i shtoi në "listën e sigurt" të vendeve, duke lejuar udhëtimin e banorëve të tyre në BE. "Ne po reagojmë në bazë të rrethanave, jo vetëm situatës në ato vende, por edhe faktit që ne shohim, për shembull në vendet tona fqinje Kroaci dhe Slloveni, një rritje në grupimet e njerëzve që kthehen nga udhëtimi në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor", tha Schallenberg në një konferencë për shtyp.

 

Numri i të infektuarve është rritur ndjeshëm gjatë muajit të kaluar në Ballkanin Perëndimor, megjithëse rajoni në përgjithësi ka pasur norma më të ulëta se shumica e Evropës perëndimore. Para dy ditësh Bashkimi Europian vendosi që të mos rihapë kufijtë me Shqipërinë më 1 korrik, siç ishte paralajmëruar më herët. Komisioni Europian miratoi një listë të shteteve që do mund të udhëtojnë drejt Europës, pjesë e së cilës nuk është Shqipëria. Megjithatë, në dokument saktësohet se në varësi të ecurisë së pandemisë, lista do të rishikohet pas dy javësh, më 15 korrik./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat