Secondary Adv

Lulezojne zyrat e kembimit valutor ne 2019: Potencial per pastrim parash

Pavarësisht se BSH i forcoi rregulloret e licencimit për zyrat e këmbimit valutor sërish vitin e kaluar u shtuan edhe 50 operatorë të rinj në treg teksa 11 prej tyre humbën licencën.

 

Në total tregu i këmbimeve valutore u zgjerua me 8,6 % në numër operatorësh. Banka e Shqipërisë në raportin vjetor të Mbikëqyrjes për vitin 2019 pohon se tregu i këmbimeve ka qenë mjaft dinamik, por një kontroll të thelluar në 97 agjenci, 31 prej tyre kanë rezultuar problematike në drejtim të Parandalimit të Pastrimit të Parave. Për shkak të kësaj problematike për 31 prej tyre u morën masa mbikëqyrëse dhe administrative për mangësitë e konstatuara dhe për 7 prej tyre u revokua licenca për parregullsi, ndërsa 4 të tjerë e mbyllen vetë aktivitetin njoftoi Banka. Gjatë kontrolleve në ketë segment të tregut financiar Banka e Shqipërisë gjeti mosrespektim të procedurave identifikuese të klientëve, dhe mangësi në ruajtjen e dokumentacionit mbështetës të veprimeve valutore.

 

Agjencitë problematike të këmbimit nuk i kishin raportuar transaksionet mbi limitin 1 milionë lekë në Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave. Gjithashtu agjencitë nuk kishin njohuri të mjaftueshme mbi detyrimet ligjore/rregullatore për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizimit dhe kishin njohuri jo të mjaftueshme për detyrimet ligjore. Numri i madhi agjencive të këmbimit po nxitet nga kërkesa e lartë për shkëmbim valute. Të dhënat konfidenciale nga Banka e Shqipërisë tregojnë se volumet e këmbimit valutës janë përshpejtuar vitet e fundit. Për të vënë kontroll mbi zgjerimin e hovshëm të agjencive të këmbimit banka e Shqipërisë vitin e kaluar ndryshoi rregulloren e licencimit. 

 

Niveli i kapitalit fillestar minimal të kërkuar u rrit për subjektet që do të aplikojnë nga 1.5 milionë lekë që parashikohej në kriteret e mëparshme rregullative, në 2.5 milionë lekë. Gjithashtu u shtuan kriteret të tilla si zotërimi i një diplome universitare, për administratorin e subjektit, u shtuan kërkesat raportuese lidhur me dokumentacionin që duhet të riparaqesin zyrat në Bankën e Shqipërisë (pas licencimit), mbi baza vjetore, të tilla si vërtetimet për integritetin e aksionerit/ortakut/administratorit dhe për lidhje të mundshme të tyre me persona të dënuar për kryerjen e veprave penale, por edhe të dhëna financiare mbi ecurinë e veprimtarisë së subjektit gjatë vitit të fundit dhe për shlyerjen e rregullt të detyrimeve fiskal./Burimi: Monitor


Më të lexuarat