Secondary Adv

Familjet shqiptare kane 373 mije kredi: Numri i tyre u rrit me 3.3 per qind ne 2019

Familjet shqiptare kanë rreth 373 mijë kredi në banka. 

 

Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se për vitin 2019 numri i kredive të familjeve u rrit me 3.3%. Kreditë në këtë segment të tregut u rritën për të dytin vit radhazi, çka tregon edhe njëherë ecurinë pozitive të kredisë për individë. Të dhënat krahasuese tregojnë se portofoli i kredisë së individëve në pesë vitet e fundit është rritur me pothuajse 30%, ndërsa portofoli i bizneseve është tkurrur me më shumë se 5%. Tashmë, huaja për individët përbën rreth 34% të totalit të kredisë për ekonominë, për një vlerë totale prej rreth 200 miliardë lekësh.

 

Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se huaja për investime për pasuri të paluajtshme dhënë individëve është bërë tashmë produkti më i rëndësishëm i kredisë bankare dhe vitin e kaluar zinte pothuajse 22% të portofolit të kredisë bankare. Në vlerë, kredia që familjet shqiptare kanë marrë në banka për të blerë banesa kishte vlerën e 117 miliardë lekëve ose gati 940 milionë eurove. Vitin e kaluar ky portofol u rrit me më shumë se 8%.

 

Raporti i kredive me probleme për individët është në nivelin 5.2%, ndërsa për bizneset më shumë se dy herë më i lartë, 10.7%. të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se edhe për vitin 2019 portofoli i individëve ishte më i shëndetshëm. Kjo shpjegon fokusin më të lartë që kanë shfaqur bankat në pesë vitet e fundit në segmentin e retail dhe të individëve në veçanti. Për shkak të ekspozimeve në vlera më të ulëta, huatë për individët mundësojnë një shpërndarje më të mirë të rrezikut të kredisë./Burimi: Scan


Më të lexuarat