Secondary Adv

Finalizohet koncesioni: Qeveria jep me qira 1 euro portin e Limionit

Këshilli i Ministrave ka miratuar kontratën për dhënien me koncesion të portit turistik dhe të shërbimeve të Limionit në Sarandë. 

 

Koncesioni 35-vjeçar është fituar nga bashkimi i operatorëve ekonomikë “Kastrati Group” sh.a. dhe “Edil-Al-It” sh.p.k, por kontrata e lidhur me Ministrinë e Infrastrukturës dhe energjisë nuk është bërë ende publike. Megjithatë, nëse i referohemi dokumenteve të tenderit të hapur rreth një vit më parë, shoqëria që do të marrë në administrim portin do të duhet të investojë jo më pak se 11.2 mln euro, të cilat përfshijnë infrastrukturën ujore dhe atë tokësore si dhe rritjen e efikasitetit në shërbim të klientëve.

 

Paralelisht me koncesionin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka firmosur edhe kontratën e qirasë me çmimin simbolik prej 1 euro për gjirin e Limionit për një periudhë 20-vjeçare. Kontrata është lidhur me një prej operatorëve që kanë fituar edhe koncesionin e portit që është “Kastrati Group” si dhe me kompaninë “Concord Investment” sh.a. Kjo e fundit u bë e njohur 2 vite më parë, pasi përmes një vendimi qeverie mori me qira 20- vjeçarë të njëjtin objekt, por vetëm 2 muaj pas veprimtarisë së saj, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, pezulloi aktivitetin, teksa ndërmori një proces auditimi.

 

Shkak për këtë masë u bënë ankesat e disa agjencive detare, që kryenin aktivitet pranë Portit Detar Sarandë, në lidhje me taksë të vendosur nga kompania për furnizimin e mjeteve me karburant. Ndërkaq, sipas kontartës së re të qirasë, bashkimi i operatorëve duhet të kryejë në pasurinë shtetërore një investim prej rreth 6,2 miliardë lekë pa TVSH, që duhet të përfundojë  brenda 48 muajve nga data e marrjes në dorëzim të objektit dhe nxjerrjeve të lejeve përkatëse për punimet. Investimi do të konsistojë në ndërtimin dhe operimin e infrastrukturës “Pro turizmi”./Burimi: Scan


Më të lexuarat