Secondary Adv

Bilanci i demshperblimeve te termetit: 90 per qind do paguhen nga risiguruesit

Kërkesat për dëmshpërblim si rezultat i tërmeteve të vitit të kaluar prekën vlerën e 4.3 miliardë lekëve ose pothuajse 35 milionë eurove. 

 

Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) japin një bilanc të përafërt përfundimtar të këtyre ngjarjeve për kompanitë e sigurimeve. Në masën dërrmuese këto dëme do të paguhen nga kompanitë e risigurimit. Sipas AMF-së, bazuar në kontratat e risigurimit, për secilën ngjarje, vlera e dëmeve që pritet të paguhet nga tregu i sigurimeve arrin deri në 220 milionë lekë. Bazuar në kuadrin ligjor dhe rregullator shqiptar, shoqëritë e sigurimit janë të detyruara të risigurojnë atë pjesë të rrezikut të siguruar që tejkalon limitin e lejuar prej 10% të vlerës së kapitalit.

 

Për produkte dhe raste të veçanta sigurimi, shoqëritë e sigurimit kanë kryer transferim të rrezikut, me anë të kontratave të risigurimit fakultativ, për të zbutur efektet financiare të dëmeve të mëdha. Mbështetur në të dhënat e deritanishme, vlerësohet se kompanitë e sigurimeve kanë paguar mbi 17 milionë euro dëme të lidhura me tërmetet e vitit të kaluar. Duke ju referuar numrit të dëmeve të raportuara, vërehet se 85% e tyre i përkasin të siguruarve, të cilët e kanë siguruar pronën për efekt kredie, ndërsa vetëm 15% janë prona të siguruara në mënyrë vullnetare. 

 

Kjo dëshmon edhe njëherë shkallën e ulët të ndërgjegjësimit për sigurimin vullnetar të pronës. Në rast se ky sigurim nuk do të kërkohej nga bankat, dëmi për qytetarët, por edhe për institucionet financiare, do të ishte shumë më i madh. Për më tepër, edhe pas tërmeteve nuk vërehet ndonjë rritje e ndërgjegjësimit për sigurimin e pronës. Të dhënat e AMF-së tregojnë se numri i kontratave për këto klasa sigurimi për pesëmujorin e këtij viti është pothuajse i njëjtë krahasuar me pesëmujorin e parë 2019./Burimi: Scan


Më të lexuarat