Secondary Adv

Pse qeveria vendosi te rrise borxhin publik: 18 projektet ku rialokohen fondet

Qeveria ka depozituar në Kuvend aktin normativ për rishikimin e buxhetit të këtij viti, duke reflektuar ndryshime që tentojnë ta kthejnë buxhetin e shtetit në një stabilizator.   

 

Në listën e ndryshimeve, veç rialokimeve të fondeve buxhetore dhe rishikimit në ulje ta parashikimeve për të ardhurat, qeveria ka vendosur të rishikojnë edhe kufirin për rritjen e borxhit publik; një lëvizje që konsiderohet si e përkohshme. “Rritja vetëm si rrjedhojë e reduktimit të PBB-së nominale të parashikuar nga buxheti fillestar është rreth 8 pikë përqindje. 

 

Ndërkohë, ndryshe nga rregulli fiskal i përcaktuar në ligjin organik të buxhetit për targetimin e një niveli të borxhit publik më të ulët sesa një vit më parë, devijimi i përkohshëm nga ky rregull fiskal në këtë akt normativ, ku borxhi publik i pritshëm për vitin 2020 prej rreth 80% e PBB-së është më i lartë sesa ai i vitit 2019 prej 66% të PBB-së, është në përputhje me një prej rasteve të rrethanave të jashtëzakonshme, përcaktuar në nenin 4/4, shkronja “a”, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, i ndryshuar, rast në të cilin qeveria mund të devijojë përkohësisht nga rregulli fiskal i sipërpërmendur.

 

Në përfundim, është me rëndësi të theksohet se përkeqësimi i parametrave të financave publike është tërësisht rrjedhojë e dy goditjeve tepër të forta që mori vendi dhe ekonomia dhe imponohet nga domosdoshmëria që në rrethana të tilla të jashtëzakonshme të utilizohet funksioni stabilizues i buxhetit të shtetit, si intrument kryesor për të amortizuar një pjesë të efekteve të forta negative të shkatuara nga këto dy goditje. Ky përkeqësim i parametrave do të jetë i përkohshëm dhe në periudhën afatmesme politika fiskale do të rikthehet qartësisht drejt objektivit të saj prioritar të konsolidimit të qëndrueshëm fiskal” shkruhet në relacionin e aktit normativ.

 

Ndërkohë, ndryshimet parashikojnë:

-Reduktim në masën -63.1 miliardë lekë të planit të arkëtimeve të të ardhurave buxhetore, kundrejt planit fillestar 2020, si rrjedhojë e impaktit negativ të pandemisë Covid-19, ku pjesën kryesore e zë reduktimi i të ardhurave tatimore me rreth -57 miliardë lekë.

-Një rritje të shpenzimeve buxhetore prej rreth 30.16 miliardë lekë, me synim kryesor injektimin me financim të sektorëve prioritarë të ekonomisë, specifikisht përmes investimeve publike.

 

– Rritjen e defiçitit buxhetor, për rrjedhojë, në nivelin -132.9 miliardë lekë ose rreth 8.4% e PBB-së, nga përkatësisht 39.7 miliard lekë ose 2.2% e PBB-së që ishin sipas buxhetit fillestar dhe nga 68.7 miliardë lekë ose rreth 3.9% në rishikimin e parë sipas aktit normativ nr.6/2020.

– Të reflektojë për rrjedhojë, rritjen e borxhit publik total në nivelin e pritur prej rreth 80% të PBB, nga rreth 65% të PBB që pritej sipas buxhetit fillestar dhe nga rreth 69% e PBB në rishikimin e parë sipas aktit normativ nr.6/2020. 

 

Shpenzime korrente:

-Financimin shtesë në masën 900 milionë lekë të nevojës së NJVQV-ve për bonusin e qirasë sociale në kuadër të tërmetit të datës 26.11.2019, deri në fund të vitit 2020.

-Alokimin e fondit shtesë prej 400 milionë lekësh për skemën e fermerëve, bazuar në tejkalimin e pritshërive të MBZHR-së për aplikimet e vitit 2020.

-Financimin në masën 400 milionë lekë të programit të ri të anglishtes dhe IT-së për ciklin e ulët.

 

-Alokimin e një fondi prej 200 milionë lekësh, si parakusht për përthithjen e mbështetjes buxhetore të BE-së në kuadër të projekteve IPA.

-Rritjen me 200 milionë lekë të fondit të planifikuar për skemën e papunësisë, si rrjedhojë e parashikimeve dhe pritshmërive deri në fund të vitit 2020.

-Sigurimin e organikës së mjaftueshme për strukturën e re të OFL-së prej 87 efektivësh, me një kosto prej 40 milionë lekësh.

– Rritjen e strukturës organike të Policisë së Shtetit me 500 efektivë të rinj, pa kosto shtesë në buxhet.

 

Shpenzime kapitale:

– Alokimin e fondit në masën 4 miliardë lekë për shpenzime shpronësimi dhe shlyerje detyrimesh të prapambetura në sektorin e infrastrukturës.

– Financimin shtesë prej 1 miliard lekësh për sektorin e ujësjellës-kanalizimeve në shkallë vendi.

– Alokimin e fondit shtesë prej 3 miliardë lekësh për FSHZH, për programe zhvillimi.

-Alokimin e fondit prej 2 miliardë lekësh për projektin madhor të Unazës së Re të Tiranës.

 

– Financimin e projektit të Rrugës së Ersekës, në masën 800 milionë lekë.

– Financimin prej 600 milionë lekësh të studim-projektimit të tunelit të Llogarasë.

– Financimin prej 500 milionë lekësh të studim-projektimit të konvikteve nga Bashkia Tiranë.

– Financimin e By-Pass-it Tepelenë, në masën 300 milionë lekë.

 

– Akordimin e një fondi prej 573 milionë lekësh për blerjen e pajisjeve e përshtatjen e godinës së SPAK.

– Alokimin e fondit shtesë prej 100 milionë lekësh për projektet e kanaleve ujitëse/kulluese. 

– Financimin prej 73 milionë lekësh të studim-projektimit të aksit Sheshi Shqiponja Bulevardi i ri./Burimi: Scan


Më të lexuarat