Cmimet u rriten ne muajin qershor: Efekti nga ushqimet, qirate dhe energjia
Çmimet e ushqimeve dhe produkteve të tjera janë rritur mesatarisht me 1.8% në qershor, në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë, raportoi INSTAT.
Rritja është ndikuar nga ushqimet, qiratë dhe energjia, ndërsa çmimet e për kategoritë e tjera është shënuar ulje, ose nuk ka pasur ndryshime. INSTAT raportoi se Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin Qershor 2020, arriti 108,1 kundrejt muajit Dhjetor 2015. Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Qershor 2020 është 1,8 %. Një vit më parë ky ndryshim ishte 1,3 %. Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Qershor 2020, krahasuar me Maj 2020 është -0,6 %.
Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Qershor 2019, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 4,1 %, pasuar nga grupet “Argëtim dhe kulturë” me 2,9 %, “Mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 2,0 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,4 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,6 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,5 %, “Komunikimi” me 0,4 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,3 %, “Shërbimi arsimor” me 0,2 %. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 4,0 %, pasuar nga grupet “Shëndeti” me 0,6 % dhe “Veshje dhe këpucë” me 0,5 %.
Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “fruta” u rritën me 12,0 %, pasuar nga nëngrupet “zarzavate përfshirë patatet” me 10,0 %, “peshk” me 6,1 %, “vajra dhe yndyrna” me 5,1 %, “sheqer, recel, mjaltë, çokollata, dhe ëmbëlsira” me 3,3 %, “qumësht, djathë dhe vezë” me 2,0 %, etj. Ndryshimet mujore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Maj 2020, çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” u ulën me 1,5 %, pasuar nga grupet “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,2 % dhe “Transporti” me 0,1 %. Nga ana tjetër çmimet e grupit“ Argëtim dhe kulturë” u rritën me 0,8 %, pasuar nga grupet “Veshje dhe këpucë” me 0,3 %, “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,1 % secili./Burimi: Monitor