
Enti Kombetar i Banesave, ja formulari per lirimin e shtepive
Enti Kombëtar i Banesave fton të gjithë pronarët e ligjshëm të aplikojnë, për të fituar të drejtën e pronësisë mbi shtëpitë e shpronësuar nga regjimi komunist.
Enti ka publikuar në faqen e vet zyrtare edhe formularin përkatës për aplikimin nga ana subjekteve të shpronësuara bashkë me dokumentacionin që duhet të plotësojnë.
“Në mbështetje të Aktit Normativ nr.3, datë 1.8.2012, “Për lirimin e banesave pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara’’, ligjit nr. 82/2012, datë 13.09.2012, “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 3, datë 1.8.2012, të Këshillit të Ministrave "Për lirimin e banesave pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara", duke qenë se dhe sot më datë (X), (X) ditë pas datës 1 nëntor 2012, nuk ka ndodhur ende lirimi dhe dorëzimi vullnetar i kësaj prone, pasi ajo përdoret/mbahet e mbyllur nga ish Qiramarrësi”, specifikon një nga pikat e formularit.
Titulli ekzekutiv
Nëse plotëson të gjitha kushtet e përcaktuara me ligj, ish pronari i kërkon EKBN-së të lëshojë titullin ekzekutiv përmes të cilit detyron qiramarrësin të lirojë banesën e cila “gëzohet/përdoret, në mungesë të çdo titulli të ligjshëm/të drejtash reale, nga (ish qiramarrësi) pasi Shteti Shqiptar ka përmbushur detyrimet sociale dhe sipas LIGJIT, duhet të bëhet lirimi i menjëhershëm i pronës në favor të kreditorit pronarit”.
“Autorizohet Enti Kombëtar i Banesave/ Drejtoria Rajonale/Dega Rajonale që, brenda 1 (një) dite punë pas lëshimit të njoftimit /konfirmimit të regjistrojë në Gjykatën e rrethit gjyqësor përkatës kërkesën dhe të përfaqësojë kreditorin për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit. Deklaroj se jap këtë Autorizim sipas ligjit Aktit Normativ nr.3, datë 1.8.2012 dhe marrë përsipër të kompensoj Entit Kombëtar të Banesave shpenzimet gjyqësore respektive sipas procesverbalit tip në momentin e dorëzimit të Urdhrit të Ekzekutimit”, theksohet në formular.
Akti normativ
Ftesa e Entit Kombëtar të Banesave ndaj subjekteve të shpronësuar i referohet një akti normativ të miratuar në vitin 2012 nga Qeveria Berisha i cili u njohu të drejtën e pronësisë ish pronarëve dhe njëherësh detyronte qiramarrësit të lironin këto shtëpi. Akti normativ, i miratuar në parlament në muajin shtator 2012, përcaktonte lirimin e banesave pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat, ish-pronë e subjekteve të shpronësuara. Sipas Qeverisë Berisha numri total i banesave ish pronë e subjekteve të shpronësuar të banuara nga qiramarrësit arrinte në afërsisht 3,200.
Kushtetuesja
Pak kohë pas miratimit të aktit nga Qeveria Berisha, Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e Shoqatës së Qiramarrësve në Shtëpitë Shtetërore Ish-Pronë Private, duke mos i krijuar asnjë pengesë zbatimit të Aktit Normativ Nr. 3, datë 01.03.2012, “Për lirimin e banesave pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara”.
Shoqata e Qiramarrësve në Shtëpitë Shtetërore Ish-Pronë Private kishte kërkuar pezullimin e zbatimit dhe shfuqizimin e këtij akti normativ, duke pretenduar se ishte në kundërshtim me Kushtetutën. Sipas palës paditëse, nisme ligjore e qeverisë nxit diskriminimin, pasi vendosen afate detyruese shumë të shkurtra kohore./Shqiptarja.com
Më të lexuarat








