Secondary Adv

BSH vendos per ndarjen e fitimit te bankave: E pezullon ate per 2020

Banka e Shqipërisë ka pezulluar shpërndarjen e fitimeve të bankave tregtare për të gjithë vitin 2020. 

 

Në mbledhjen e fundit, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të shtyjë për gjithë vitin kalendarik vendimin e mëparshëm, që i shtrinte efektet deri në fund të muajit qershor. Vendimi përfshin fitimet e mbartura nga periudhat e mëparshme, si edhe të fitimit që do të realizohet për vitin 2020. Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo masë synon të sigurojë mbështetje për bankat, kryesisht nëpërmjet rritjes së aftësisë së tyre për të përthithur humbjet e mundshme potenciale dhe për të mbështetur kredidhënien për klientët individë dhe biznese gjatë kësaj periudhe.

 

Sipas Bankës së Shqipërisë, fitimet e vitit 2019 dhe ato të mbartura në fund të vitit të kaluar kishin vlerën e 27 miliardë lekëve dhe përbënin 17.5% të strukturës totale të kapitalit aksioner të bankave. Kriza që shkaktoi pandemia e Covid-19 e gjeti sistemin bankar në momentin më të mirë pas dekadës së fundit, pasi arriti të absorbonte mirë efeket e krizës financiare. 

 

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të muajit mars raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit arriti në 19.1%, niveli më i lartë i regjistruar në serinë e statistikave të viteve të fundit të bankës qendrore. Raporti i kredive me probleme ka zbritur në nivelin 8.1%, niveli më i ulët që prej vitit 2009. Pritet që ky raport të rritet për shkak të ndikimit të fortë të krizës në ekonomi, megjithatë ndikimi i krizës në cilësinë e portofolit të bankave do të jetë më i qartë në tremujorin e fundit të vitit./Burimi: Scan


Më të lexuarat