Secondary Adv

Gjobitet koncesionari i Terminalit te Durresit: Aplikoi tarifa 85 per qind me te larta

AK gjobit kompaninë koncesionare “Durres Container Terminal” (DCT) SHA, që nga 2013 vepron në tregun e shërbimit të mbushjes dhe zbrazjes së konteinerëve.

 

Vendimi u mor pas një hetimi të thelluar, ku rezultoi se kompania aplikonte tarifa deri në 85% më të larta për shërbimet e saj, nga ato të përcaktuara nga Autoriteti Portual Durrës, si dhe bazuar në ankesën e paraqitur pranë Autoritetit të Konkurrencës nga ndërmarrja Brunes SHPK lidhur me faturimin e padrejtë të shërbimit të zbrazjes dhe mbushjes së konteinerëve nga Koncesionari DCT SHA.

 

Nga hetimi paraprak, konkurrenca konkludoi se sjellja e ndërmarrjes koncesionare DCT SHA duke ofruar shërbimin e mbushjes dhe zbrazjes së konteinerëve, kundrejt një tarife shtesë të vetëpërcaktuar në mënyrë të padrejtë dhe të pa miratuar, mund të përbëjë një abuzim me pozitën dominuese, (monopol) që zotëron ky koncesionar, në ofrimin e shërbimit të mbushjes dhe zbrazjes së konteinerëve në Terminalin e Konteinerëve Durrës, duke krijuar dyshimin e arsyeshëm se mund të jemi para shkeljes së nenit 9, pika 2, germa a), të ligjit nr. 9121, datë. 28.07.2003, “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, të ndryshuar.

 

Më pas, konkurrenca hapi dhe hetim të thelluar. Hetimi i thelluar është hapur në tregun e shërbimit të mbushjes dhe zbrazjes së konteinerëve në Terminalin e Konteinerëve Durrës, ndaj ndërmarrjes “Durrës Container Terminal” SHA. Komisioni i Konkurrencës vlerësoi se jemi përpara një rasti urgjence të parashikuar në nenin 44 të ligjit nr. 9121/2003, për shkak të rrezikut të kryerjes së një dëmi të rëndë dhe të pariparueshëm për konkurrencën, pasi ka të ngjarë të ketë shkelje të nenit 9 të këtij ligji. 

 

Bazuar në këtë vlerësim Komisioni i Konkurrencës, me vendimin nr. 650, datë 03.10.2019, “Për marrjen e masave të përkohshme në tregun e shërbimit të mbushjes dhe zbrazjes së konteinerëve në Terminalin e Konteinerëve Durrës ndaj ndërmarrjes “Durrës Container Terminal” SHA”, vendosi marrjen e masës së përkohshme ndaj ndërmarrjes “Durrës Container Terminal” SHA, në tregun e shërbimit të mbushjes dhe zbrazjes së kontejnerëve në Terminalin e Kontejnerëve Durrës.

 

Koncesioni aplikoi tarifa deri 85% më të larta se sa përcaktori Autoriteti Portual Durrës

Nga viti 2011, menaxhimi, operimi, ndërtimi, mirëmbajtja, përmirësimi teknik dhe adaptimi për përmbushjen e kërkesave aktuale dhe të ardhshme të trafikut në Terminalin e Konteinerëve Durrës është dhënë me koncesion. Terminali i Konteinerëve Durrës, në bazë të kontratës së koncesionit, duke filluar nga muaji Shkurt 2013 dhe gjatë gjithë periudhës nën hetim, operohej, menaxhohej dhe administrohej nga ndërmarrja DCT SHA, e cila ishte poseduesja dhe administruesja e vetme e të gjithë infrastrukturës dhe faciliteteve të këtij terminali. Çdo përdorues porti për të marrë shërbimet nga ky terminal, duhet patjetër të ketë akses në infrastrukturën dhe facilitetet që ofron ky terminal. 

 

Terminali ishte marrë me koncesion për 35 vjet nga ndërmarrja DCT SHA dhe për gjithë këtë periudhë kjo ndërmarrje do të ishte e vetme në këtë treg në qoftë se kontrata e koncesionit nuk do të ishte zgjidhur (Vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit, Tiranë, nr. 370 (862019-395),datë 12.02.2019). Por pavarësisht këtij vendimi ndërmarrja DCT SHA ka vazhduar të operojë në tregun objekt hetimi për gjatë gjithë periudhës nën hetim, gjë e cila është konfirmuar gjatë inspektimeve të zhvilluara pranë ambienteve të kësaj ndërmarrjeje si dhe raportimeve të dërguara nga APD dhe DCT SHA. Ndërmarrja DCT SHA në bazë të kontratës Koncesionare ka pasur ekskluzivitet në ofrimin e shërbimeve të përpunimit të kontenierëve në portin e Durrësit. 

 

Si një ndërmarrje që operonte e vetme në këtë treg, për shërbimet që ajo ofronte aplikoheshin tarifa të miraturara paraprakisht nga APD dhe me Udhëzim të përbashkët të MIE dhe MFE. Por, duke filluar nga muaji Maj 2018, kompania ka ofruar shërbimet e mbushjes dhe zbrazjes së konteinerëve kundrejt një tarife të vetëpërcaktuar, tarifë e cila nuk ishte e miratuar dhe nuk ishte prezent në librin e tarifave të publikuara në faqen zyrtare të Autoritetit Portual Durrës.  Tarifat e saj ishin konkretisht: për mbushje/zbrazje konteineri gjenerale 20 feet një tarifë prej 120 Euro/Box; për mbushje/zbrazje konteineri gjenerale 40 feet një tarifë prej 150 Euro/Box.

 

DCT SHA ka vijuar punën për përpunimin e konteinerëve duke ofruar edhe shërbimin  e mbushjes dhe zbrazjes, kundrejt një tarife të vetëpërcaktuar dhe të pa miratuar nga instancat përkatëse, pavarësisht kërkesave të APD-së për ndërprerjen e ofrimit të këtij shërbimi, duke operuar në kundërshtim me termat e Kontratës Koncesionare si dhe me Librin e Tarifave Portuale. Lidhur me këtë sjellje të DCT-së, APD ka kërkuar ndërhyrjen e MIE si Autoriteti Kontraktor. Në nëntor 2018, Autoritetin Portual Durrës ka miratuar tarifat për mbushje/zbrazje konteineri gjenerale konkretisht si vijon: – Mbushje/zbrazje konteineri gjenerale 20 feet (20’) tarifa 65 Euro/Box; 

 

– Mbushje/zbrazje konteineri gjenerale 40 feet (40’) tarifa 86 Euro/Box, pra gati sa gjysma e atyre të vetëpërcaktuara nga koncesionari. Pavarësisht këtij miratimi paraprak të tarifës nga APD që nga muaji nëntor 2018, DCT SHA nuk e ka ndryshuar sjelljen e saj duke vazhduar ofrimin e shërbimit të mbushjes dhe zbrazjes së Konteinerëve me të njëjtën tarifë të vetëpërcaktuar, e cila ishte me e lartë se tarifa e miratuar për këtë shërbim nga APD, konkretisht 85% më e lartë për konteinerët 20′ dhe 43% më e lartë për konteinerët 40’. Në total të ardhurat e siguruara nga ndërmarrja DCT SHA për periudhën Maj 2018 – Shtator 2019 nga shërbimi i mbushjes-zbrazje së konteinerëve 20” dhe 40” janë 37,255,740 Lekë, pa TVSH.

 

Kompania është mbrojtur duke thënë se nëse do të zbatonte tarifat e caktuara nga APD, shërbimi i saj do të rezultonte me humbje. Pavarësisht miratimit të tarifave nga APD që nga muaji nëntor 2018, sipas konkurrencës, DCT SHA ka filluar aplikimin e tyre nga marrja dijeni e vendimit të KK nr. 650, datë 03.10.2019, “Për marrjen e masave të përkohshme në tregun e shërbimit të mbushjes dhe zbrazjes së konteinerëve në Terminalin e Konteinerëve Durrës ndaj ndërmarrjes “Durrës Container Terminal” SHA”, konkretisht nga muaji Tetor 2019. Konkurrenca ka vlerësuar se çmimet kanë qenë eksesive, shumë të larta, pasi çmimi i aplikuar nuk ka lidhje të arsyeshme me vlerën ekonomike të produktit, koston e tij.

 

Nga ana tjetër, duke qenë se për ofrimin e shërbimit të mbushjes dhe zbrazjes së konteinerëve nga DCT SHA nuk ka pasur një tarifë të miratuar nga Ministrat përkatës, APD nuk ka arkëtuar asnjë të ardhur nga kryerja e këtij shërbimi. Në fund, konkuurenca ka konkluduar se sjellja e ndërmarrjes koncesionare DCT SHA  përbën abuzim me pozitën dominuese (monopol) që zotëronte ky koncesionar, në tregun e shërbimit të mbushjes dhe zbrazjes së konteinerëve në Terminalin e Konteinerëve Durrës. Për këtë arsye, kompania është gjobitur me 0.43% të xhiros së saj, me një shumë prej 5 milionë lekësh.

 

Konkurrenca i ka rekomanduar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë që brenda një afati 90 ditor, të marrin masat për rregullimin e tregut të shërbimit të mbushjes dhe zbrazjes së konteinerëve në Terminalin e Konteinerëve Durrës duke përcaktuar dhe miratuar tarifën përkatëse për këtë shërbim në udhëzimin e përbashkët për përcaktimin e tarifave të shërbimeve portuale në Autoritetin Portual Durrës, me qëllim shmangien e sjelljeve të mundshme abuzive nga operatorë të këtij tregu./Burimi: Monitor 


Më të lexuarat