Secondary Adv

Faturat e papaguara te energjise, sekuestrim prone vetem per bizneset

 

Komisioni i Veprimtarive Prodhuese anulon vendosjen e barrës hipotekore për banesat e familjarëve që kanë detyrime të energjisë elektrike të papaguara, por lë në fuqi masën e vendosur për bizneset që kanë mbi 15 milionë lekë të vjetra debi.


Pra, ulet njëkohësisht edhe tavani i detyrimit të papaguar, për të cilin biznesit i bllokohet në hipotekë objekti. Heqja e barrës hipotekore për klientët familjarë u propozua nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste.
“Po të enjten Kuvendi ka një propozim të grupit parlamentar për heqjen e barrës hipotekore për konsumatorët familjarë”, tha Eduard Shalsi, kryetar i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese. Projektligji për energjinë elektrike në variantin e parë parashikonte vendosjen e barrës hipotekore për konsumatorët familjarë, kur kalojnë vlerën debitore prej 300 mijë lekësh, ndërsa për bizneset kur kalojnë vlerën e dy milionë lekëve.


Meqenëse drafti u kundërshtua nga opozita gjatë diskutimit dhe votimit në seancën e kaluar, PS-ja bëri një hap pas. Propozimin e lexoi në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese deputeti Ulsi Manja. Ndryshimi konsiston pikërisht në pikën c të nenit 92, ku konkretisht thuhet: “Vendos barrën hipotekore mbi pasurinë e paluajtshme që furnizohet me energji elektrike në rast se detyrimi i papaguar që rrjedh nga një kontratë furnizimi energjie elektrike është mbi 1 500 000 lekë për klientë jofamiljarë”.


Pritet që varianti i ndryshuar të votohet sot në seancë plenare. Një tjetër pikë debati ishte ajo e çmimit të lartë, që qytetarët duhet të paguajnë për faturat aforfe, për të cilën kryetari i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese tha se, synohet që fundi i këtij viti të jetë edhe fundi i kësaj mënyre faturimi, pas pajisjes së të gjithë konsumatorëve me matës.


Më të lexuarat