Hapet aksi rrugor Kopshti Botanik-Komuna e Parisit-Unaza e Re
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka bërë me dije se ditën e sotme, në orën 10:00, do të hapet qarkullimi në segmentin Kopshti Botanik-Komuna e Parisit-Unaza e Re.
ARRSH-ja bën të ditur se “janë marrë të gjitha masat e nevojshme për qarkullimin sa më të sigurt në këtë pikë”. Gjithashtu, i bën thirrje përdoruesve të automjeteve që të kenë kujdes sistemin e ri të qarkullimit.
“Në segmentin rrugor “Ndërtim Unaza e Re e Tiranës” (Segmenti Komuna e Parisit – Rruga e Re Tiranë-Elbasan), Autoriteti Rrugor Shqiptar për të eliminuar aksidentet rrugore në një zonë të papërfunduar punimesh mbylli provizorisht qarkullimin e mjeteve dhe ndaloi trafikun në këtë segment për marrjen e masave suplementare të sigurisë dhe sinjalistikës.ARRSH njofton se nga nesër më datë 1 Maj , prej orës 10:00 do të hapet ky segment për qarkullimin e trafikut në pjesën fundore të Unazës së Tiranës, segmenti Kopshti Botanik-Komuna e Parisit.
Janë marrë masat e nevojshme për qarkullimin sa më të sigurt në këtë pikë, e cila do vazhdojë të mbetet një pikë, ku mund të kryhen punime të mëtejshme. Përdoruesit e automjeteve të kenë kujdes sistemin e ri të qarkullimit edhe në rrugët ekzistuese (Komuna e Parisit), që është bërë për t’i ardhur në ndihmë lëvizjes më të lehtësuar në këtë pikë tësegmentit”, thuhet në njoftimin e Autoritetit Rrugor Shqiptar.
ARRSH i kërkon të gjithë përdoruesve të rrugës që të zbatojnë me kujdes sinjalizimin rrugor. Ndërkaq, edhe Policia e Qarkullimit Rrugor do të mbështesë ARRSH për hapjen e këtij segmenti rrugor dhe mbarëvajtjen e qarkullimit të mjeteve.