Secondary Adv

Projektligji i ri: Ndermjetesit e pasurive te paluajtshme do pajisen me licence

Ndërmjetësit e pasurive të paluajtshme janë një profesion që nuk rregullohen me ligj të dedikuar si profesionet e tjera të lira, por kjo pritet të ndryshojë. 

 

Në një projektligj të dedikuar Ministria e Drejtësisë ka sanksionuar se për herë të parë këta ndërmjetës do të regjistrohen në një regjistër të dedikuar. Ministria do të jetë institucioni që administron regjistrin publik të ndërmjetësve të pasurive të paluajtshme si dhe regjistrin unik të të dhënave për zyrat e ndërmjetësimit të pasurive të paluajtshme dhe ndërmjetësit e pasurive të paluajtshme.“Regjistri publik i ndërmjetësve të pasurive të paluajtshme krijohet, mirëmbahet dhe përditësohet në format të integruar manual dhe elektronik nga strukturat përgjegjëse të ministrisë. 

 

Ky regjistër përmban të dhënat publike si vijon: a) identiteti; b) vendbanimi; c) numri i licencës; ç) data e fillimit të veprimtarisë si ndërmjetës i pasurive të paluajtshme; d) Numri Unik të Identifikimit të Subjektit (NUIS); dh) adresa e vendit, ku zhvillon veprimtarinë si ndërmjetës i pasurive të paluajtshme” thuhet në projektligj. 

 

Ndërmjetësit do të licencohen në bazë të kushteve

Draft ligji parashikon që ndërmjetësit e pasurive të paluajtshme duhet të plotësojnë disa kushte për t’u licencuar në këtë aktivitet. Janë të paktën 10 kushte që nisin nga shtetësia, zotësia juridike për të vepruar, mosdënimi me vendim gjyqësor të formës së prerë, mos ketë kryer vepra penale si pastrim parash që cenojnë integritetin. Të ketë përfunduar arsimin e mesëm ose të lartë. Por projektligji parashikon që të drejtën për t’u licencuar si ndërmjetës i pasurive të paluajtshme e ka edhe çdo shtetas i huaj që plotëson kushtet e parashikuara dhe që vërteton zotërimin e gjuhës shqipe me anë të një dokumenti të lëshuar nga autoritetet kompetente, sipas legjislacionit në fuqi.

 

Tarifa e ndërmjetësimit paguhet vetëm pas nënshkrimit të kontratës

Një pikë e rëndësishme në projektligj është ajo mbi tarifën e ndërmjetësimit ku në nenin 21 thuhet se tarifa e ndërmjetësimit përcaktohet në kontratën e ndërmjetësimit të pasurive të paluajtshme. “Ndërmjetësi ka të drejtën të shpërblehet kur kontrata e ndërmjetësimit sjell efektet e veta, pavarësisht nga ndodhitë e mëvonshme të saj. Ndërmjetësi nuk mund të kërkojë pagesa të pjesshme të tarifës paraprakisht, pra përpara lidhjes së kontratës. Shpenzimet e shërbimeve shtesë që lidhen me punën që është objekt i ndërmjetësimit mund të ngarkohen nga ndërmjetësi në shumën e shpenzimeve aktuale, vetëm me pëlqimin midis ndërmjetësit dhe klientit” thuhet në draft.

 

Programi i detyrueshëm i trajnimit

Në nenin 10 të projektligjit sillet në vëmendje edhe një program i detyrueshëm i trajnimit për kandidatët për ndërmjetës të pasurive të paluajtshme, që ka si qëllim aftësimin e tyre me njohuritë e duhura profesionale dhe veçanërisht për të raportuar transaksionet e dyshimta me pasuritë e paluajtshme, të cilat mund të kenë si qëllim realizimin e pastrimit të parave, sipas legjislacionit përkatës. 

 

“Programi i detyrueshëm i trajnimit realizohet nga Shkolla Shqiptare e Administratës Publike në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit dhe të Pastrimit të Parave. Programi i detyrueshëm i trajnimit mund të realizohet edhe nga institucione të arsimit të lartë, të akredituara sipas ligjit, pas miratimit nga Ministri. Programi i detyrueshëm i trajnimit kryhet përpara paraqitjes së kërkesës për pjesëmarrjen në provimin e kualifikimit” përcaktohet në projektligj./Burimi: Monitor


Më të lexuarat