Secondary Adv

Normaliteti i ri: 9 sektoret qe preken me shume nga ndryshimi i sjelljes konsumatore

Struktura e brishtë ekonomike paralajmëron ditë të vështira për të vegjlit, por edhe të mëdhenjtë. 

 

Pabarazia sociale në vend pritet të përkeqësohet. Sipërmarrjet po përshpejtojnë marrjen e masave për t’u përgatitur për valën e dytë të virusit, nëse do të ndodhë, duke rritur për muajin korrik investimet në teknologji. Të mëdhenjtë pritet të blejnë të vegjlit. Në fund të qershorit, brenda një dite në Tiranë, biznese familjare, si bare, restorante dhe kafene, mbyllën aktivitetin. 

 

Arsyet e mbylljes së punës ishin rënia e xhiros dhe mungesa e klientëve pas hapjes të strukturave të shërbimit më 18 maj, gati 3 muaj pas pezullimit të aktivitetit. Henri Jahaj, përfaqësues i Shoqatës së Bareve, Restoranteve dhe Klubeve, e cilëson mbylljen e këtyre bizneseve familjare si fillim të krizës, ndërsa parashikon që deri në fund të korrikut të ketë falimentime masive. Shkak është rënia e xhiros. Arsyet që jep zoti Jahaj për rënien e ndjeshme të frekuentimit të restoranteve janë të shumta.

 

Sipas të dhënave të INSTAT, në vend, në 2019, ka rreth 17 mijë bare e restorante (82% e të cilave janë bar-kafe), me më shumë se 50 mijë të punësuar, ose rreth 10% të të punësuarve në sektorin privat në total. Përfaqësuesi i Shoqatës të këtij shërbimi shprehet se, nëse do të ketë një valë të dytë dhe ekonomia do të mbyllet përsëri, kjo industri do të pësojë kolaps. “Prandaj institucionet e shëndetit duhet të përcjellin mesazhe pozitive dhe inkurajuese dhe duhet të sqarojnë se nuk do të ketë një izolim të dytë të popullatës që edhe bizneset e bareve, restoranteve, klubeve dhe konsumatorët të jenë më të qetë.”

 

Tregtia me pakicë është sektori tjetër më i prekur. Në vend ka rreth 33 mijë sipërmarrje në këtë fushë, ose një e treta e bizneseve në vend. Me individët që nuk konsumojnë dhe konkurrencën e shtuar nga qendrat tregtare, mbijetesa e tyre do të jetë e vështirë. Agjencitë e udhëtimit dhe ato turistike vuajnë ende mungesën e klientëve, pasi rezervimet për pushime thuajse janë pezulluar. Sipas shifrave të INSTAT, në vitin 2019 në vend numërohen 1,259 agjenci udhëtimi dhe operatorë turistikë, me rritje 7% krahasuar me 2018. Nga pandemia janë prekur më shumë bizneset e vogla të agjencive të udhëtimit, që pohojnë se janë në prag të mbylljes të aktivitetit.  

 

NËNTË SEKTORËT MË TË GODITUR NGA PANDEMIA

Turizmi

Përfaqësues të kompanive kryesore në vend dhe ekspertë ekonomie rendisin si sektorin më të goditur nga pandemia turizmin. Tre janë arsyet pse turizmi është më i godituri: mungesa e turistëve të huaj të cilët shpenzojnë më shumë se vendasit, mbyllja e kufijve tokësorë dhe fluturimeve, mbyllja e hoteleve, bareve dhe restoranteve gjatë karantinës. Sektori i turizmit është goditur në mënyrë të drejtpërdrejtë për shkak të mbylljes të shërbimeve, siç janë hotelet, restorantet, baret, kafenetë dhe ndërprerja e komunikimeve qoftë brenda vendit, por edhe me jashtë.

 

Lidhur ngushtë me këtë industri janë prekur edhe shërbimet në funksion të turizmit, apo të lëvizjes së popullsisë, siç është transporti detar, i udhëtarëve dhe ai ajror. Turistët vendas nuk mund të zëvendësojnë kontributin e turistëve të huaj në ekonomi. Ata që mund të vijnë nga Kosova dhe Maqedonia përbëjnë vetëm një pjesë të turistëve të huaj që vitet e fundit kanë filluar të vijnë në Shqipëri, duke ulur të ardhurat e pritura në këtë sektor nga turistët e vendeve të Europës Lindore. Si rrjedhojë, është një nga sektorët e goditur më rëndë.  

 

Fasonët

Mungesa e porosive, rënia e kërkesës nga tregjet e huaja për shkak të mbylljes së panaireve dhe dyqaneve janë faktorët se pse sektori fason vlerësohet pas atij të turizmit më i godituri nga pandemia. Sherefedin Shehu, ish-ministër i Financave dhe njohës i politikave buxhetore që janë ndërmarrë ndër vite për këtë sektor, shprehet se te fasonët, goditja nga COVID-19 u shkaktua nga mungesa e komunikimit dhe rënia e kërkesës nga tregjet e huaja, ku ata shesin produktet, sidomos në Itali, që është vendi kryesor që ushtron biznesin fason në Shqipëri. Maksim Caslli i kompanisë “Deloitte” parashikon se ndikimi i pandemisë te sektori fason do të tkurrë eksportet, veçanërisht te prodhimet e luksit. 

 

“Eksportet lidhur me mallrat jo të domosdoshëm, veçanërisht kur flasim për strukturën e ekonomisë sonë besoj do të preken mjaft. Sipas të dhënave të INSTAT, që nga viti 2009, eksporti në vlerë i tekstileve dhe këpucëve shënoi rritje, përveç vitit 2019 kur u godit nga rënia e euros. Për tekstilet dhe artikujt e tjerë, vlera e eksportit në vitin 2019 ishte 61 miliardë lekë. Tendencë rritëse në eksporte, në këto 10 vite shënoi edhe sektori i këpucëve. Në vitin 2019, në këtë sektor vlera e eksportit ishte 56 miliardë lekë.

 

Karakteristikë e tij është varësia e lartë nga Italia, me 71% të totalit të eksporteve të tekstileve dhe 86% të këpucëve, që shkojnë drejt shtetit fqinj. Armand Mala, ekspert kontabël, këtë veçori të sektorit, e shikon si arsyen kryesore pse është goditur nga kriza e COVID-19. “Fasoni është një sektor me shumë peshë në vendin tonë, me mijëra të punësuar. Pesha e sektorit te punësimi është mjaft e rëndësishme, sa qeveria pranoi të rrezikojë edhe gjatë pandemisë, duke i lejuar të punojnë. Në vitin 2019 sipas shifrave të INSTAT, ishin aktive 125 ndërmarrje të përpunimit të tekstileve. Në krahasim me 2018, numri i tyre ka rënë 38%. Kompanitë fason të prodhimit të lëkurës në vitin 2019 ishin 266 ndërmarrje, duke shënuar rritje të lehtë në krahasim me 2018 kur vepronin 257 ndërmarrje.

 

Sektori retail

Për kompani të tjera, sektori retail, me përjashtim të shitjeve të ushqimeve, konsiderohet si më i goditur nga COVID-19. “Është e dukshme që sektori më i prekur është retail, duke përjashtuar atë të produkteve ushqimore, të cilat kanë pasur rritje. Bizneset retail janë në numër të lartë”, pohon administratori i kompanisë “Infosoft Systems”, Armand Sharra. Të tjerë mendojnë se goditja e sektorit të biznesit retail do të ndikojë te konsumi i brendshëm. “Një tjetër efekt i pritshëm i COVID-19, sipas mendimit tim, do të jetë dhe ulja e konsumit të brendshëm. Bizneset e lidhura me retail (shitje me pakicë/shumicë), prodhimet për konsum të brendshëm do të pësojnë goditje”, nënvizon Maksim Caslli. 

 

Transporti

Sipas të dhënave të INSTAT, në sektorin e transportit për vitin 2018 ishin të punësuar rreth 13 mijë punonjës. Armand Mala parashikon se transporti i udhëtarëve do të mbetet në vështirësi financiare për një kohë të pacaktuar, për shkak të mungesës të fluturimeve dhe bllokimit të kufijve. “Duke qenë se pothuajse gjithë vendet vendosën izolimin, si masë për t’u mbrojtur ndaj pandemisë, lëvizja e udhëtarëve u kufizua në minimum, transporti ajror ishte tërësisht i bllokuar, si rezultat i bllokimit të kufijve, ndërkohë nuk bënte ndonjë ndryshim madhor dhe transporti tokësor. Këtu vlen të përmendet që kjo industri është me kosto fikse shumë të larta. Fluturimet e anuluara, rivlerësimi i herëpashershëm i hapjes/mbylljes së kufijve, bën që të mbetet në minimum dhe për një periudhë të pacaktuar”.

 

Ndërtimi

Pas COVID-19, shpenzimet e familjeve shqiptare për investime në apartamentet aktuale apo për blerje shtëpie parashikohen të tkurren. Ndërsa administratori i kompanisë “Infosoft systems”, mendon se gjatë pandemisë është frenuar progresi i projekteve të ndërtimit, për shkak të pamundësisë të lëvizjeve, Maksim Caslli i kompanisë “Deloitte”, parashikon ecuri optimiste për sektorin e ndërtimit, për shkak të nisjes së projekteve të rindërtimit të shtëpive të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit dhe investimeve publike.

 

“Pandemia pritet të sjellë pasoja edhe te sektori i ndërtimit, veçanërisht te segmenti familjar. Familjet pritet të shpenzojnë më pak, qoftë për investime në banesat në pronësi, qoftë në investime në banesa të reja. Por, nga ana tjetër, për shkak se jemi në një vit elektoral, priten investimet në infrastrukturë, si dhe investimet prej fondit të rindërtimit mund të kenë efekt pozitiv në këtë sektor.” 

 

Bujqësia

Për nga pesha specifike, një sektor tjetër i goditur rëndë në vendin tonë, sipas Sherefedin Shehut është bujqësia. “Këtë sektor do ta rendisja si të dytin më të prekur nga pandemia, pasi përbën 20% të PBB-së (Prodhimit të Brendshëm Bruto), por me ndikim në gati gjysmën e popullsisë. Rreth 48% e popullsisë jeton në zonat rurale dhe bazën e të ardhurave e ka nga prodhimet bujqësore. Për shkak të kufizimeve, të ndërprerjes së komunikimit, eksportet dhe konsumi kanë rënë. Siç edhe e theksova për turizmin që më shumë është prekur për shkak të mbylljes, mungesës të lëvizjeve me jashtë dhe brenda vendit, natyrshëm edhe konsumi i produkteve bujqësore ka rënë ndjeshëm dhe do të vazhdojë rënien, sidomos gjatë stinës të verës, ku prodhimet bujqësore konsumohen masivisht nga sektori i turizmit.” 

 

Tregtia e Automjeteve

Pasiguria që COVID-19 po shkakton për të ardhmen tek individët do të ndalë edhe shitjet e makinave të reja. “Vitet e fundit, sektori i automobilizmit në Shqipëri (shitjet e automjeteve të reja) ishte në një trend pozitiv. Po bëheshim europianë në këtë drejtim. Gjithnjë e më shumë njerëzit po zgjedhin blerjen e një automjeti të ri, e nxitur edhe nga qeveria, nëpërmjet politikave fiskale (kujtojmë taksën në varësi të moshës së mjetit). Efekti i pandemisë, jo vetëm që do ta ndalojë këtë trend, por do ta shtyjë drejt zeros. Investimi për një automjet të ri mund të presë, aq më tepër në një situatë të paqartë për të ardhmen. Por, për fatin tonë të mirë, në këtë sektor në vendin tonë nuk ka shumë të punësuar”, sipas kontabilistit Armand Mala.

 

Marketingu

Kriza e COVID-19 do të prekë edhe sektorin e marketingut, vlerëson zoti Mala. “Bizneset, në kushtet e rënies drastike të të ardhurave, situatës së pasigurt, kaosit psikologjik, logjikisht kanë tendencën të reduktojnë shpenzimet, dhe në këtë pikë shpenzimet e marketingut janë të parat që rishikohen”.

 

Nafta

Një sektor tjetër ndër më të goditurit nga COVID-19, sipas zotit Caslli, është edhe prodhimi i naftës. “Sektori i hidrokarbureve/naftës duket i stabilizuar për momentin krahasuar me dy muaj më parë, por si rezultat i rënies së kërkesës në tregun botëror, mund të bjerë çmimi i naftës. Nëse kjo do të ndodhë, ky sektor do të gjendet në vështirësi po të kemi parasysh kostot e larta të nxjerrjes dhe përpunimit të këtij produkti në vendin tonë.”/Burimi: Monitor


Më të lexuarat