
Raporti i punes ne Shqiperi: Specialistet e IT, me te paguarit pas nepunesve te larte
Specialistët IT dhe inxhinierët paguhen në rangun e drejtuesve ekzekutivë të kompanive private dhe drejtorëve të administratës shtetërore, raporton INSTAT në një studim mbi tregun e punës për vitin 2014. Profesionet e tjera janë në nivelin mesatar të pagave ose më poshtë.
Paga mesatare e specialistëve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit është 80.062 lekë. Sipas INSTAT, paga mesatare për drejtues administrativë dhe komercialë është 123.647 lekë. Kategoria “Drejtues prodhimi dhe shërbimesh të specializuara” ka pagën bruto mesatare 95.843 lekë. Ligjvënësit, nëpunësit e lartë të administratës dhe drejtorët ekzekutivë paguhen mesatarisht 77.558 lekë. Kategoria “Specialistë të administrimit dhe biznesit” paguhen me pagën bruto mesatare 73.217 lekë.
Profesionet
Në vitin 2014, pesë grupet e profesioneve me pagën mesatare mujore bruto (pa zbritur tatimin dhe sigurimet) më të lartë ishin: drejtuesit administrativë dhe komercialë; specialistët e shkencave të fizikës, matematikës dhe inxhinierisë; drejtuesit e prodhimit dhe shërbimeve të specializuara; specialistët e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit; dhe ligjvënësit, nëpunësit e lartë të administratës shtetërore dhe drejtorët ekzekutivë.
Paga mesatare mujore bruto është më e ulët për grupet e profesioneve në të cilat niveli i aftësive të kërkuara është i ulët, të tilla si: punëtorët për shitje dhe shërbime të ndryshme në rrugë; prodhuesit e produkteve bujqësore, blegtorale, të peshkimit për nevoja familjare; punonjësit e përpunimit të ushqimit, drurit, tekstileve dhe tjera të ngjashme; punonjësit e prodhimit të sendeve të imta, punëve me dorë (artizanët) të shtypshkrimit dhe të tjera të ngjashme; ndihmësit në përgatitjen e ushqimit. Në vitin 2014, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë në Shqipëri ishte 45.539 lekë. Kjo pagë mbulon të gjithë sektorët e ekonomisë, dhe është llogaritur me të dhënat e listë-pagesave të deklaruara nga ndërmarrjet ekonomike pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
Hendeku gjinor në paga është 10%. Pra meshkujt kanë një pagë mesatare mujore bruto 10% më të lartë sesa femrat. Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar kundrejt pagesës ndryshon sipas pronësisë së ndërmarrjes dhe formës ligjore të saj. Për një të punësuar në ndërmarrjet shtetërore, paga mesatare mujore bruto është 54.981 lekë. Në sektorin shtetëror, hendeku gjinor në paga është pothuajse i papërfillshëm. Kurse meshkujt e punësuar në kompanitë e huaja kanë një pagë mesatare mujore bruto më shumë se dyfish më të lartë sesa femrat. Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë është mbi nivelin mesatar për aktivitetet financiare dhe sigurimit, industri nxjerrëse, aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike, etj. Ndërsa në ndërtim, tregtia me shumicë dhe pakicë, etj., paga mesatare mujore bruto është nën nivelin mesatar.
Ndarja sipas aktivitetit ekonomik
Ata që punojnë në organizatat ndërkombëtare kanë raportuar në Drejtorinë e Tatimeve pagë mesatare prej 128330 lekë, që është më e larta për vitin 2014. Pas tyre, INSTAT vendos industrinë nxjerrëse, ku paga mesatare është 106 314 lekë. Dhe më tej renditen bankat, kompanitë e sigurimeve dhe institucionet financiare jobankare. Aktivitetet financiare dhe ato të sigurimit kanë një pagë mesatare 90 202 lekë. Ndërsa specialistët e informacionit dhe komunikacionit kanë pagë mesatare 72 944 lekë. Thuajse në të njëjtin nivel janë sektorët: Administrimi publik dhe i mbrojtjes (63.229 lekë); Aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike (63.987 lekë); si dhe Furnizimi me energji elektrike, gaz e avull dhe me ajër të kondicionuar (63.737 lekë). Disa aktivitete paraqesin surprizë për nivelin e pagesës. kështu për shërbime në shtëpi, paga mesatare e llogaritur nga INSTAT është 29.563, ku meshkujt paguhen mesatarisht 38 801 lekë dhe femrat 23.899 lekë. Pagesa mesatare më e ulët regjistrohet në sektorin e transportit dhe magazinimit që është në nivelin 23 952 lekë.
Më të lexuarat








