Secondary Adv

Regjister per koncesionet me partneritet publik privat, miratohet per 60 dite

 

Së shpejti do të krijohet një njësi që do të trajtojë të gjitha kërkesat për koncesione, duke i përgatitur dosjet për procedurat e garës që ndiqen nga agjencia e prokurimit.


Qeveria ka propozuar ndryshimin e ligjit për koncesionet ku do të shtohet ngritja e komisionit të koncesionit/partneritetit publik privat, i përbërë nga jo më pak se pesë anëtarë, me profesion ekonomist, jurist dhe teknik, i cili do të kryejë procedurat e dhënies së koncesionit. Sipas projektligjit, në këtë komision duhet të përfshihen jo më pak se dy përfaqësues nga Njësia e Trajtimit të Koncesioneve/Partneriteteve Publike Private. Gjithashtu, janë përcaktuar dhe detyrat e këtij komisioni.


Autoritetet kontraktuese në bashkëpunim me Njësinë e Trajtimit të Koncesioneve/Partneriteteve Publike Private pranë Ministrisë përgjegjëse për Ekonominë do të zhvillojnë procedurat për identifikimin, vlerësimin dhe organizimin e marrëveshjeve të partneritetit publik.


Procedurat
Të gjitha procedurat e partneritetit publik privat do të kryhen nëpërmjet një komisioni të vetëm, i cili do të kryejë veprimet për dhënien e koncesionit duke shkurtuar ndjeshëm afatet në krahasim me procedurat aktuale.


Kështu që në fazën e identifikimit të projekteve, studimit të fizibilitetit dhe deri në vlerësimin e ofertave, procedurat do të kryhen nga një komision i përzgjedhur nga autoriteti kontraktor në bashkëpunim me Ministrinë përgjegjëse për Ekonominë (Njësinë e Trajtimit të Koncesioneve /Partneriteteve Publike Private) dhe brenda 60 ditëve nga krijimi i këtij komisioni kryhen të gjitha procedurat e sipërpërmendura.


Ky afat mund të shtyhet për shkaqe të kompleksitetit të projektit jo më shumë se 30 ditë. Ndërkohë, për propozimet e pakërkuara është parashikuar që propozuesit t’i jepet bonusi në procedurën konkurruese deri në 10% të pikëve totale të garës.Këshilli i Ministrave, me akt të veçantë, do të përcaktojë rregullat për vlerësimin e pranueshmërisë, përmbajtjes dhe trajtimin e propozimeve të pakërkuara dhe bonusit. Në ligjin ekzistues nuk është përfshirë si fushë e veprimtarisë sektori i bujqësisë.


Nëpërmjet këtij ndryshimi është bërë i mundur zhvillimi i projekteve në fushën e bujqësisë nëpërmjet partneritetit publik privat.Projektet për prodhimin e energjisë elektrike nga hidrocentralet, të cilat përjashtoheshin nga ligji ekzistues, sipas ndryshimeve të propozuara me këtë projektligj do të kryhen në përputhje me procedurat e parashikuara, përveç HEC-eve me kapacitet të instaluar nën 2 MW./Shqip


Më të lexuarat