Secondary Adv

Deklarimi i te ardhurave deri me 31 korrik: Ndryshon gjenerimi i deklarates

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka njoftuar se 31 korriku ëhstë afati i fundit për deklarimin e të ardhurave individuale mbi 2 milionë lekë. 

 

Afati normal është 30 prilli, por këtë vit u shty për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi. DPT njofton se sjell risinë më të re për sa i përket plotësimit të “Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA).” Tashmë, kjo deklaratë do të gjenerohet e paraplotësuar automatikisht me të dhënat e të ardhurave vjetore bruto nga pagat apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit për individët, si edhe me përllogaritjen e Tatimit mbi të ardhurat nga Punësimi. Tatimet bëjnë me me dije se detyrimin për dorëzimin e DIVA e kanë individë rezidentë dhe jo rezidentë në Republikën e Shqipërisë. DIVA duhet të dorëzohet e plotësuar brenda datës 31 Korrik 2020, në mënyrë elektronike, nëpërmjet sistemit e-filing.

 

Kush bën deklarimin

DPT sjell në vëmendje të individëve rezidentë në Republikën e Shqipërisë, të cilët gjatë vitit 2019 kanë realizuar të ardhura, nga të gjitha burimet, në shumën mbi 2,000,000 (dy milionë) lekë, se brenda datës 31 Korrik 2020 duhet të dorëzojnë në mënyrë elektronike, nëpërmjet sistemit e-filing, Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA). Detyrimin për dorëzimin e Deklaratës Individuale Vjetore e të Ardhurave (DIVA) e kanë gjithashtu edhe individët jo rezidentë, të cilët realizojnë të ardhura të tatueshme, me burim në Republikën e Shqipërisë, në shumën mbi 2,000,000 (dy milionë) lekë.

 

Të ardhurat që deklarohen

Të ardhurat e tatueshme, të detyrueshme për t’u deklaruar nga individët, subjekt deklarimi, janë:

Të ardhura bruto nga paga apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit

Të ardhurat bruto nga dividenti

Të ardhurat bruto nga qiraja

Fitimi kapital nga shitja e pasurisë së palujtshme në pronësi të deklaruesit

 

Të ardhura bruto nga interesat bankare 

Fitimi kapital i krijuar nga investimet në tituj apo nga pasuri të palujtshme

Shuma bruto të fituara nga lotaria apo lojëra të tjera të fatit.

Të ardhurat bruto nga pasuria intelektuale, licencat, të drejtat ekskluzive dhe pasuritë e tjera, që përbëhen vetëm nga të drejta dhe që nuk kanë formë fizike. 

 

Fitimi kapitali nga dhurimi.

Të ardhura bruto të realizuara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Të ardhura bruto të tjera të papërmendura më lart

Deklarata do të dalë e paraplotësuar

 

Për herë të parë, deklarata do të gjenerohet e paraplotësuar automatikisht me të dhënat e të ardhurave vjetore bruto nga pagat apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit për individët, si edhe me përllogaritjen e Tatimit mbi të ardhurat nga Punësimi. Gjithashtu fushë e paraplotësuar do të jetë edhe vlera e paguar gjatë vitit për sa i takon Tatimit mbi të ardhurat nga Punësimi. 

 

Rubrikat e mësipërme të dekaratës DIVA, pavarësisht se do të gjenerohen të paraplotësuara, do të vijojnë të jenë fusha të lira dhe të ndryshueshme, në mënyrë që deklaruesi të ketë mundësi t’I verifikojë dhe ndryshojë ato. Deklarimi i të ardhurave, përveç se është detyrim ligjor, i çdo individi subjekt i deklarimit, është edhe një garanci më shumë, lidhur me justifikimin e pasurisë së tij./Burimi: Monitor


Më të lexuarat