Secondary Adv

Mospagimi i kesteve te Tatimit mbi Fitimin: Tatimet falin gjobat e bizneseve

Falen të gjitha gjobat në lidhje me mospagimet e kësteve paraprake të Tatim mbi Fitimin për shkak të situatës së shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.

 

Ky fakt është bërë i ditur nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Mësohet se Administrata Tatimore do të anuloje gjobat e vendosura për shkak të mospagimit në afat të kësteve paraprake të Tatimit mbi Fitimin për 3-mujorin e parë të vitit 2020, të reflektuara në periudhën e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, në përputhje me VKM NR. 243, datë 24.03.2020 “Për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore”, i ndryshuar. “Të gjitha subjektet që kanë marrë një penalitet për shkak të mospagimit në afat të kësteve të Tatimit mbi Fitimin dhe e kanë paguar atë, do të mund të përdorin këtë shumë për detyrime tatimore të mëvonshme.

 

Administrata Tatimore do të vijojë zbatimin e procedurave për të njoftuar tatimpaguesit në llogarinë e tyre të deklarimit elektronik e-Filing. Gjithashtu, struktura e apelimit pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë do të trajtojë në përputhje me përcaktimet e legjislacionit, për situatat e fatkeqësisë natyrore edhe gjobat e tjera për deklarim dhe pagesë me vonesë të detyrimeve të tjera tatimore nga ana e tatimpaguesve. MFE mbetet e angazhuar për të mbështetur biznesin në tejkalimin sa më të shpejtë të kësaj periudhë të vështirë pandemie me qëllim rimëkëmbjen e ekonomisë.”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Financave./Burimi: Balkanweb


Më të lexuarat