Secondary Adv

Tatimi shtese per te dypunesuarit me te ardhura mbi 2 mln leke- KLSH: I paligjshem

KLSH ka gjetur se detyrimi i të dypunësuarve me të ardhura mbi 2 mln lekë për të mbledhur pagat, duke i tatuar si një e vetme, nuk mbështetet nga baza aktuale ligjore.  

 

Prej tre vitesh, të dypunësuarve që kanë të ardhura vjetore mbi 2 milionë lekë po u kërkohet që në momentin që bëjnë deklarimin vjetor të të ardhurave personale, pagat t’i mbledhin bashkë dhe të llogaritet tatimi si një e vetme. Kjo çon në një rritje të ndjeshme të tatimit që duhet paguar, shpesh me mbi 50%, pasi intervali prej 300 mijë lekë përjashtohet vetëm një herë dhe nga ana tjetër, një pjesë e konsiderueshme e pagës tatohet me 23%. Pas rillogaritjes, individi duhet të paguajë vetë tatimin shtesë për llogari të tatimeve.

 

Këtë vit, në deklaratën individuale, deklarata gjenerohet e paraplotësuar automatikisht me të dhënat e të ardhurave vjetore bruto nga pagat apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit për individët, si edhe me përllogaritjen e Tatimit mbi të ardhurat nga Punësimi. Ndërkohë, shumë individëve të dy apo më shumë të punësuar po u kërkohet që të deklarojnë në këtë mënyrë edhe pagat e tre viteve të fundit, duke i detyruar të paguajnë tatimin shtesë. Afati i fundit i deklarimit këtë vit është 31 korriku, pasi afati i mëparshëm 30 prill u shty për shkak të pandemisë. 

 

Por, KLSH, në një auditim që ka bërë që në vitin 2018 në DPT për përputhshmërinë dhe rregullshmërinë financiare ka gjetur  se udhëzuesi që përcakton mbledhjen e dy pagave si një e vetme për personat që kanë të ardhura mbi 2 milionë lekë nuk është i mbështetur në ligjin për tatimin mbi të ardhurat. Për më tepër është punëdhënësi dhe jo punëmarrësi që sipas ligjit duhet të llogarisë, mbajë dhe derdhë në buxhet tatimin mbi të ardhurat duke qenë se në këtë rast ligjvënësi ka vendosur që ky tatim të mbahet në burim. Nga ana tjetër ka pabarazi në trajtim përpara ligjit për qytetarët që kanë të ardhura nga punësimi, pasi individët e dypunësuar me të ardhura nën 2 milionë lekë përjashtohen nga kjo mënyrë llogaritje.

 

DPT, në një koment zyrtar për Monitor tha se i referohet ligjit për tatimin mbi të ardhurat dhe Udhëzuesit për mënyrën e plotësimit të Deklaratës Individuale Vjetore  të të Ardhurave pjesë përbërëse e Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave dhe pjesë e Udhëzimit nr.5, datë 30.01.2006 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar është ilustruar edhe mënyra e plotësimi të rubrikës (3) dhe (4) të deklaratës. Por, ekspertët gjithashtu pohojnë se legjislacioni aktual për tatimin mbi të ardhurat në asnjë pikë të tij nuk përcaktohen që individët duhet të llogarisë, mbledhë dhe derdhë të ardhurat si dhe udhëzuesi të cilit i referohen tatimet është i pambështetur në ligj.

 

Nga ana tjetër, ndonëse tatimi progresiv u vendos në vitin 2014, vetëm tre më vonë u vendos në Udhëzues kjo kërkesë për rillogaritje të tatimit. Nga viti i ardhshëm, ky debat ka marrë zgjidhje ligjore, pasi përmes një ndryshimi në ligjin për të ardhurat të miratuar në fund të vtit 2019, që fillon e zbatohet për të ardhurat e 2020-s, të gjithë të dy punësuarit, pa dallim, do të duhet të deklarojnë tatimin mbi pagat (brenda 4 mujorit të parë të 2021), duke i llogaritur si një e vetme, në momentin që do të bëjnë deklarimin e të ardhurave vjetore dhe do të duhet të paguajnë tatimin shtesë./Burimi: Monitor 


Më të lexuarat