
Bizneset e vogla po falimentojne: Rriten me 54 per qind mbylljet e subjekteve
Nga 1 maji në 14 korrik, numri i bizneseve që kanë kaluar në status pasiv është rritur me 54% me bazë vjetore.
Sipërmarrësit shprehen se mungesa e tregut dhe klientelës po i detyrojnë të mbyllin aktivitetin. Më të prekur nga kriza janë bizneset e pakonsoliduara, të ngritura 5 muaj apo 1 vit para pandemisë. Në rrugën “Myslim Shyri”, për shkak të krizës nga COVID-19, kanë falimentuar dyqanet e tregtimit të veshjeve të markave të njohura, që ushtronin aktivitet prej 20 vitesh. Të vegjlit do e kenë më të vështirë të përballojnë krizën e konsumit, që vetëm sa u thellua nga pandemia. Nga vëzhgimi i “Monitor”, në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë, ku ndodhen një numër i madh biznesesh, aktualisht shumë dyqane janë të mbyllura, sidomos ato të tregtimit të parfumeve, veshjeve, luleve natyrale, materialeve të ndërtimit dhe Fast-Food.
Në vend sipas të dhënave të Drejtorisë të Përgjithshme të Tatimeve në total janë 3,568 biznese me pakicë të veshjeve dhe 582 biznese të tregtimit me pakicë të këpucëve dhe artikujve prej lëkure. Ato zënë rreth 4% në totalin e ndërmarrjeve. Agimi, pronar i një ambienti tregtar, i cili prej vitesh e jep me qira në rrugën “Myslym Shyri”, thotë se për shkak të mungesës së punës, dyqani është lënë nga qiramarrësit që tregtonin prej 20 vitesh veshje grash. Interesimi për ta marrë sërish ambientin me qira nga të tjerë është i ulët. Biznesi i vogël po arrin të mbijetojë me vështirësi në përiudhën pas karantinës, pasi siç thonë vetë sipërmarrësit, po vuajnë mungesën e tregut dhe të blerjeve.
Gjithashtu, gjatë stinës së verës, dyqanet e luleve nuk kanë shumë punë, pasi shumë njerëz zgjedhin që ditëlindjet t’i bëjnë në Jug të Shqipërisë, por në periudhë normaliteti rënia e shitjeve kompensohet me shitjet e luleve për dasma. Puna për shitjet e luleve të dasmave niste që të enjten e deri të dielën. Ndalimi i tyre na ka penalizuar”. Zonja Roza thotë se do të presë se çfarë do të ndodhë deri në shtator dhe më pas do të vendosë nëse do të vijojë apo jo aktivitetin. Maj-14 korrik, rriten me 54% bizneset e mbyllura. Maji ishte muaji i parë që rifilloi hapja e aktiviteteve private, pas gati dy muajsh izolimi të plotë. Por, shumë biznese nuk po arrijnë të përballojnë pasojat e mbylljes dhe tkurrjes së konsumit.
Të dhënat e përpunuara nga Monitor, bazuar në listën e subjekteve pasive që publikohet nga tatimet, tregojnë se nga 1 maji deri në 14 korrik, numri i bizneseve që kanë kaluar në status pasiv është 54% më i lartë se në të njëjtën periudhë të një viti më parën(rreth 1,500 gjithsej, krahasuar me 950 në 2019-n). Në 2 javët e para të korrikut, subjektet që kërkuan të pezullonin aktivitetin ishin dy herë më të larta se një vit më parë, ndikuar dhe nga sezoni i dobët turistik. Bizneset e mbyllura, përqendrohen në Qarkun e Tiranës, Durrësit, Elbasanit dhe Vlorës. Më të prekur nga kriza janë subjektet e reja, të ngritura 5 muaj apo 1 vit para pandemisë, siç pohojnë edhe vetë sipërmarrësit.
Monitor zhvilloi një anketim me disa prej subjekteve që kanë kaluar në status pasiv, bazuar në një përzgjedhje rastësore të listës së përditësuar nga tatimet. “Dyqanin e mbylla në periudhën e karantinës, për shkak të mungesës së punës dhe fitimit. Çdo e ardhur shkonte për pagesat e sigurimeve, taksave vendore dhe qirasë. Shitjet online i ndala, pasi dërgesat bëheshin të pamundura për shkak të kufizimeve. Gjithashtu njerëzit nuk ishin të interesuar të blinin veshje në periudhën e pandemisë, pasi të gjithë ishin të pasigurt, nuk e dinin se sa do të zgjaste pandemia. Lehtësitë fiskale dhe mbështetja për të rinjtë që duan të hapin një biznes në Shqipëri janë zero dhe kjo e vështirëson vazhdimin e aktivitetit.
Ishte shumë e vështirë të përballoje pagesat, pa pasur një të ardhur tjetër, pasi xhiro pothuajse nuk kishte fare dhe për këtë u detyrova ta mbyll dyqanin.” Në planin e saj financiar për të përballuar situatën, Qeveria parashikoi mbështetje direkte për biznesin e vogël, me qarkullim deri në 14 milionë lekë, nëpërmjet dhënies së 3 pagave minimale prej 26 mijë lekësh (e ashtuquajtura paga e luftës). Sipas të dhënave të Ministrisë të Financave, këstin I e përfituan rreth 65 mijë individë në 38 mijë biznese. Fondi i paguar ishte rreth 1,7 miliardë lekë. Këstin II e përfituan 64 mijë individë, në rreth 38 mijë biznese dhe fondi i paguar ishte rreth 1,6 miliardë lekë. Edhe kësti III u përfitua nga 64 mijë qytetarë dhe fondi i lëvruar ishte 1,6 miliardë lekë.
Pse po falimentojnë të vegjlit
Alban Isteri, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, në Durrës, konfirmon të njëjtët faktorë ashtu si biznesi i vogël, për mbyllje të aktivitetit: rënien e xhiros nga mungesa e shitjeve, pasi blerësit ndihen të pasigurt për muajt në vazhdim dhe po kursejnë të ardhurat. “Bizneset e vogla si bare, restorante, dyqane veshjesh janë në gjendje të rënduar financiare. Të gjitha sipërmarrjet e vogla raportojnë rënie të lartë të xhiros, për shkak të mungesës të shitjeve.
Më në vështirësi nga situata e krijuar janë bizneset e reja, pasi nuk janë të konsoliduar, por kanë një kontribut të madh në punësim dhe në aspektin social. Konsumi i brendshëm është ulur. Shtimi i rasteve me COVID-19 po ndikon në uljen e mëtejshme të shpenzimeve të individëve, pasi ndihen të frikësuar dhe të pasigurt se çfarë do të ndodhë në muajt e ardhshëm. Ata të cilët kanë mundësi financiare po kursejnë të ardhurat dhe shpenzimet pothuajse i kanë minimizuar. Më të prekurit në këtë periudhë janë edhe bizneset e tregtimit të artikujve të luksit, artit, bizneset e organizimit të eventeve dhe dasmave”.
Pritet mbyllje masive e aktiviteteve, në shtator
Në muajin shtator, pas përpjekjeve të biznesit të vogël për të mbijetuar gjatë verës, sipas ekspertit të ekonomisë, Sherefedin Shehu, pritet të ketë mbyllje masive të tyre, nëse qeveria nuk do të hartojë nisma të reja mbështetëse. “Praktikisht bizneset, jo vetëm që ankohen publikisht për gjendjen e vështirë dhe pamundësinë për të mbijetuar, por një pjesë e tyre janë mbyllur dhe vazhdojnë të mbyllen. Në periudhën e verës, këto biznese do të tentojnë të jetojnë, por nëse nuk do të ketë një program serioz mbështetës, falimentimet janë të pashmangshme, pasi këtë e tregojnë edhe treguesit makroekonomikë.
Vlerësimet e Bankës Botërore për rritje të varfërisë, minimalisht në nivelin 40%, do të thonë se do të ketë rënie të ndjeshme të produktit, të shërbimeve, të punësimit. Të gjitha këto do të sjellin mbylljen e një pjese të konsiderueshme të bizneseve”. Shehu shprehet se rimëkëmbja e ekonomisë, nuk mund të vijë nga bizneset që janë në proces falimenti, apo në kushte mbijetese dhe në mungesë totale deri tani të mbështetjes. “Perspektivën e shoh të zymtë, jo vetëm në periudhën afatshkurtër, por edhe atë afatmesme. Ekonomia shqiptare, përveç goditjes nga pandemia, goditjen më të madhe, po e merr nga mungesa e një mbështetje serioze, sepse bizneset më parë kanë pasur problematikat e tyre sektoriale.
P.sh, sektori i turizmit ka pasur problem konkurrueshmërinë e ulët në rajon, për shkak të kostos së lartë fiskale. Një kosto e shtuar për biznesin është edhe mungesa e infrastrukturës. Bizneseve iu shtohet edhe kostoja për zbatimin e protokollit kundër pandemisë. Gjykoj se është e vështirë që të gjitha bizneset të mbijetojnë, për shkak të rënies ekonomike, mungesës së të ardhurave për një periudhë 4-mujore dhe mungesës së politikave mbështetëse nga qeveria, të cilat rrisin riskun e falimentimit. Ndoshta nuk do të kemi procedura standarde falimentimi nëpërmjet procesit gjyqësor, sepse në Shqipëri, më shumë bizneset janë familjare që operojnë në informalitet të plotë apo gjysmë informalitet”./Burimi: Monitor
Më të lexuarat








