Bypass-i i Rrogozhines, Haxhinasto: Me teper nenkalime dhe standarte bashkekohore
Investimi që po realizohet në bypassin e Rrogozhinës do të pësojë disa ndryshime, ndërkohë që punimet priten të përfundojnë në fillim të 2016-ës. Kërkesa erdhi nga Ministri i Transportit Haxhinasto për të dyfishuar numrin e nënkalimeve. Sipas tij shtimi i nënkalimeve do të ndihmojë fermerët të dalin më shpejt dhe më të sigurt në treg.
Ministri i Transportit dhe Infrastruktures, Edmond Haxhinasto, inspektoi këtë të shtunë punimet e ndërtimit të by-pass-it të Rrogozhinës ku ritmet e punës kanë filluar të rriten. Në një kohe që projekti duhet të përfundoje në fillim të vitit të ardhshëm, Ministri tha se është shumë e rëndësishme që të rivleresohet projekti, vecanërisht përsa i takon nënkalimeve pasi kjo rrugë kalon në një zonë ekonomke, bujqësore dhe nuk duhet të jetë pengesë për të ndarë në dysh aktivitetet ekonomike të kësaj zone.
Për këtë, Haxhinasto deklaroi se: – “Autoriteti Rrugor Shqiptar është autorizuar që të shikojë mundësinë e shtesave të nënkalimeve, që të mos krijojmë asnjë pengesë për aktivitetin ekonomik të kësaj zone. Gjithashtu, shumë e rëndësishme është që të planifikojmë dhe realizojmë në kohë edhe nyjet e ndryshme me hekurudhën, ku ka një nënkalim hekurudhor, I cili duhet të koordinohet mirë me hekurudhën shqiptare, që gjithashtu të realizohet në kohën më të shkurtër dhe mos të krijohet asnjë pengesë për transportin hekurudhor”.
Duke folur për standardin e zbatimit të punimeve, ai u shpreh se:- “Shumë e rëndësishme të respektohen standartet dhe cilësia e punimeve duke respektuar të gjitha kërkesat e teknologjisë së ndërtimit të rrugëve për vetë specifikën që ka kjo zonë, e cila kalon në një zonë të ulët dhe argjilore, kështu që është domosdoshmëri për të pasur një rrugë sa më të qëndrueshme.”- tha ai. Ky Bypass është shumë i rëndësishëm për rrjetin tonë rrugor, ndonëse jo shumë i gjatë 4.7 km, krijon një lëvizshmëri shumë të mirë për aksin veri-jug të Shqipërisë, që do t’i shërbej mirë të gjithë aktivitetit ekonomik të kësaj zone.