Hapet gara per godinen e re te Bashkise Tirane: Ja 10 projektet e propozuara
Ka nisur këtë javë faza e dytë e konkursit ndërkombëtar për projektimin e ndërtesës së re të Bashkisë Tiranë.
Dhjetë studio, prej të cilave dy shqiptare, janë vlerësuar si ndër më interesantet dhe aktualisht janë hedhur për t’u votuar online. Mirëpo vlen të theksohet se shumica e prezantimeve nuk janë përkthyer në shqip, dhe ndërkohë votimi për to nuk është lokal, pra vetëm për rezidentët në Shqipëri, por edhe për ata jashtë shtetit. Kështu për një ndërtesë të rëndësisë së veçantë në Tiranë, mund të thuhet se do të vendosin të huajt. Euronews përcjell foto të projekteve, të cilat deri më tani kanë marrë rreth 10.000 vota.
Bashkia e re propozohet të ndërtohet në një hapësirë mes zgjatimit të bulevardit, njohur ndryshe si “Bulevardi i Ri”. Zona në fjalë konsiderohet me potencial të madh ndërtimi urban, duke qenë se në të parashikohen të ndërtohen godina të tjera institucionesh, rezidencash banimi, por dhe shërbimesh sociale. Faza e parë e konkursit për “Bashkinë e Re” u njoftua në janar të këtij viti. Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, tha se ndërtesa e re “do të jetë për 1,200 punonjës të administratës” ndërsa “Bashkia ceremoniale” aktuale “do të mbetet po aty” dhe “do të vijojë të mbetet në zemër të qytetit”.
Projektet janë seleksionuar nga faza e parë përmes një jurie, e cila ka aplikuar si kritere kryesore: përvojën, metodologjinë dhe vizionin për të zgjidhur çështjet arkitektonike. Në fazën tjetër thuhet se do të kihet parasysh: kreativiteti, origjinaliteti i idesë, ndërlidhja, harmonizimi me mjedisin përreth dhe kostoja e projektit.Bashkia parashikon €30,000 shpërblime për 3 projektet më të vlerësuara – 15,000 projekti që do të vlerësohet i pari. Pas konkursit, projekti më i vlerësuar do të kalojë në proces negocimi direkt me Bashkinë Tiranë. /Burimi: Newsbomb
Projekti i studios belge të Xaveer De Geyter XDGA dhe ajo shqiptare “iRI”, e cila zotërohet nga Gent Agolli dhe Johan Anrys
Projekti i studios së holandezit Marc Joubert JA-Joubert Architecture
Projekti i studiove gjermane dhe holandeze Cityförster dhe Buromosa të drejtuara nga Martin Subota dhe Luca Moscelli
Projekti i studios së holandezit Wilhelmus Maas MVRDV
Projekti i studios BAUKUH drejtuar nga italiani Andrea Zanderigo
Projekti i studios Archea të italianit Marco Casamonti
Projekti i Studios 4M Group me seli në Londër dhe themeluar nga Përparim Rama
Projekti i studios MCA të italianit Mario Cucinella
Projekti i studios GAD dhe PHI Landscape zotëruar nga turku Gokhan Avicioglu