
Ligji i ri, puset e ujit do te miratohen nga Sherbimi Gjeologjik Shqiptar
Çdo pus i ri uji që shpohet, do të miratohet nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar. Një projektligj që është propozuar nga qeveria i ka kthyer këtij shërbimi disa kompetenca, të cilat u kishin kaluar agjencive të tjera.
Studimet gjeologjike
Gjatë vitit 2010 u bë një ndërhyrje në ligjin aktual, që sipas relacionit të qeverisë drejtuar Kuvendit, kanë cenuar rëndë veprimtarinë e shërbimit. Këto ndryshime prekën thelbin e institucionit, duke i hequr objektin e tij të veprimtarisë “studimin” dhe duke e zëvendësuar me fjalët “vrojtimet, shërbimet, përgjithësimet dhe monitorimet”.
Ky ndryshim nuk ka asnjë kuptim, pasi thelbi i gjeologjisë, ashtu si edhe për çdo shkencë tjetër, janë pikërisht studimet. Rikthimi i funksionit studimor, sipas propozimit të qeverisë, i jep shërbimit mundësinë e kryerjes së oponencave të të gjitha studimeve gjeologo-inxhinierike të kryera nga subjekte private, për të gjitha veprat inxhinierike në vend, në mënyrë që të evitohen në maksimum problematikat e deritanishme sidomos në veprat e rëndësishme të financuara nga shteti.
Puset e ujit
Po ashtu, shërbimit gjeologjik me ndryshimet e bëra në vitin 2010, i ishte hequr e drejta e miratimit të projekteve të ujit, gjë që bie në kundërshtim me detyrat bazë të Shërbimit Gjeologjik për monitorimin e niveleve të ujërave nëntokësore, gjendjen e burimeve ujore etj. Sipas projektligjit, personi, fizik ose juridik, privat ose shtetëror, që kryen shpime për ujërat nëntokësore, me thellësi mbi 15 m nga sipërfaqja e tokës, përpara se të paraqesë projektin hidrogjeologjik në këshillin e baseneve, është i detyruar të marrë miratimin për projektin nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, që e shqyrton sipas akteve ligjore.
Ndërsa Agjencia e Ujit dhe Basenit detyrohet të dorëzojë në Arkivin Qendror Teknik të Gjeologjisë një kopje të projektit, pas miratimit të lejes së shpimit dhe një kopje të relacionit për rezultatet e punimeve të kryera, pas miratimit të lejes së shfrytëzimit nga Këshilli i Basenit Ujëmbledhës. Shërbimi Gjeologjik Shqiptar financohet nga buxheti vjetor i shtetit dhe nga të ardhurat e shërbimeve me të tretët. Sipas projektligjit, tarifat e shërbimit me pagesë për të tretët, që kryhen nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, miratohen me udhëzim të përbashkët të ministrit të Financave dhe ministrit të Industrisë.
Të ardhurat e krijuara nga shërbimet me të tretët përdoren nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar me miratimin paraprak të ministrit për blerjen e pajisjeve, mjeteve teknologjike, aparaturave laboratorike, si dhe për kualifikim, specializim e shpërblim të personelit. Në vijim të projektligjit, përcaktohet se Shërbimi Gjeologjik Shqiptar paraqet dhe merr miratim nga ministri për pjesëmarrjen në projektet dypalëshe ose shumëpalëshe, brenda dhe jashtë shtetit. Sipas relacionit të qeverisë, qenia e Shërbimit Gjeologjik Shqiptar anëtar me të drejta të plota në këto organizata dikton nevojën e reformimit ligjor, strukturor dhe programor të këtij Shërbimi, duke shtrirë gamën e studimeve të tij në tokë, dete (gjeologjia detare), liqene dhe lumenj, si analogët e tij europianë, e më gjerë.
Arkivi
Shërbimi Gjeologjik është kujdestar për gjithë trashëgiminë studimore të nëntokës. Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, sipas projektligjit, është e detyruar të dorëzojë në Arkivin Qendror Teknik të Gjeologjisë, për qëllime studimore, raportet e studimeve të çdo lejeje hidrokarbure kërkim-zbulimi. Në arkivin e gjeologjisë arkivohet informacion gjeologjik i çdo zotëruesi të lejes minerare, si dhe dokumentacioni gjeologjik krahinor i studimeve e lejeve dhe dokumentacioni faktik i punimeve gjeologjike.
Kronologjia - Gjeologët shqiptarë, të anëtarësuar në BE
Më 1998-n, hyri në fuqi ligji “Për Shërbimin Gjeologjik Shqiptar”. nNë 2004-n, ligji u ndryshua për t’i dhënë shërbimit statusin këshilltar teknik e shkencor i shtetit në fushën e gjeoshkencave. Në 2010-n, bëhet një ndërhyrje e re në ligjin “Për Shërbimin Gjeologjik Shqiptar”, ku institucionit iu hoq e drejta e studimeve.
Në 2006-2007 është mbyllur aktiviteti i të gjitha njësive studimore gjeologjike në qarqet e vendit. Në 2007-n, nga “Reforma në shkencë”, u shkri Instituti i Studimeve dhe Kërkimeve Gjeologjike në Tiranë, me një përvojë prej pesë dekadash dhe me profesionistë të nivelit europian.
Në 2007-n, u shkri pothuajse plotësisht Qendra Kombëtare e Hidrokarbureve në Fier (ish-Instituti i Kërkimeve e Projektimeve për Naftë e Gaz), i krijuar në vitin 1965, me një eksperiencë shkencore, laboratorike, arkivore dhe profesionale të nivelit bashkëkohor. Nga ky institucion shkencor, pas vitit 2007, kanë ngelur vetëm pesë specialistë, të cilët i janë bashkuar Shërbimit Gjeologjik Shqiptar.
Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, në vitin 2007, ka fituar statusin kandidat në Shërbimin Gjeologjik Europian (EGS) dhe që nga data 01.01.2015 është anëtar me të drejta të plota. Në vitin 2011, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar është anëtarësuar në Konsorciumin Ndërkombëtar të Studimit të Rrëshqitjeve (International Consortium on Landslides).
Së fundi, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar është bërë pjesë e grupit të punës për hartimin e hartës gjeologjike të botës./Gazeta Shqip
Më të lexuarat









