Bie monopoli i aeroportit Nene Tereza, se shpejti fluturime ne Kukes, Vlore e Sarande
Qeveria shqiptare është pranë arritjes së marrëveshjes për heqjen e ekskluzivitetit të fluturimeve ndërkombëtare për aeroportin e Rinasit.
Një risi që do të ndikojë së tepërmi në rritjen e numrit të turistëve në Shqipëri, do të jetë ngritja e 3 aeroporteve të reja, duke i hequr kështu ekskluzivitetin aeroportit aktual të Rinasit, “Nënë Tereza”. Kështu u shpreh ditën e djeshme Ministri i Ekonomisë dhe Turizmit Arben Ahmetaj në komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit. “Koncesioni i aeroportit në vitet që kanë kaluar, ka funksionuar shumë mirë, sot në këndvështrimin e qeverisë, ekskluziviteti që ka mbi qiellin, dëmton turizmin dhe po me kënaqësi e ndaj me ju që jemi në negociatë të avancuar për të hequr ekskluzivitetin dhe për t’i dhënë mundësi Shqipërisë të ketë tre aeroporte të tjera; 2 në jug; një në veri dhe ju garantoj që brenda dy muajve, ekskluziviteti me dialog dhe me negociatë miqësore do të hiqet,” tha më tej ministri Arben Ahmetaj.
Vendimi pritet të merret brenda dy muajve, duke mundësuar kështu edhe lejimin e fluturimeve ajrore nga tre aeroporte të tjera, në Kukës, Vlorë e Sarandë. Monopoli i fluturimeve ajrore ndërkombëtare që gëzon aeroporti “Nënë Tereza” ka ndikuar jo vetëm në çmimin e lartë të biletave për udhëtarët, por edhe në frenimin e zhvillimit të turizmit në vend për shkak të tarifave të larta dhe pamundësisë së përzgjedhjes. Marrëveshja koncesionare që ka vendosur monopolin e fluturimeve ajrore në Rinas është firmosur nga qeveria shqiptare në vitin 2004. Qeveria shqiptare e kohës formuloi së bashku me një kompani koncesionare, “Tirana Airport Partners”, një marrëveshje për ndërtimin dhe menaxhimin e aeroportit të ardhshëm ndërkombëtar të Rinasit.
Marrëveshja e koncesionit parashikonte një kohëzgjatje prej 20 vjetësh, gjatë të cilës do të rehabilitohej terminali i vjetër, do të zhvillohej terminali i ri dhe do të rinovoheshin shërbimet që ofroheshin në zonën e aeroportit. Marrëveshja ia jepte kompanisë koncesionare të gjitha të drejtat mbi hapësirën e aeroportit, përfshirë tarifat e shërbimeve në tokë, për të gjitha kompanitë ajrore që operonin në Shqipëri.