
Vijon puna ne sheshin Shqiponja: Se shpejti nisin 2 segmente te tjera te Unazes
Punimet në sheshin “Shqiponja” janë duke ecur me ritme të shpejta, për të bërë të mundur përfundimin në një kohë sa më të shpejtë të kësaj vepre.
Aktualisht po punohet për ndërtimin e galerive nëntokësore tip box 3 dhe 4, ndërsa parashikohet që në fund të muajit gusht të nisë puna për fazën e tretë. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e shoqëruar nga drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ergys Verdho, inspektuan nga afër ecurinë e punimeve në këtë kantier. “Ne tashmë kemi lejen e ndërtimit për gjithë segmentin. Realizimi fizik i punimeve është 25%, ndërsa realizimi kohor është 17%. Gjatë periudhës nga muaji tetor, deri në muajin prill, ku u intensifikuan punimet dhe u bë plani i menaxhimit të trafikut, jemi marrë me procesin e shpronësimeve.
Janë shpronësuar rreth 202 pasuri, nga të cilat 77 kanë qenë objekte me certifikata pronësie”, bëri të ditur drejtori Verdho. Ministrja Balluku e vuri theksin tek ritmi i punimeve, duke nënvizuar rëndësinë që ka përfundimi i kësaj vepre në një kohë sa më të shpejtë. Tashmë ka marrë zgjidhje procesi i shpronësimeve, por edhe problematikat e tjera që lidheshin me këtë kantier, ku është bërë e mundur zhvendosja e linjave të tensionit të mesëm dhe të ulët. “Puna është e dukshme, ka marrë formë. Është një arritje e kënaqshme në këto kushte, duke pasur parasysh të gjithë pengesat, që kemi pasur. Megjithatë ne duhet të kapim afatin kohor.
Duke qenë se kjo është një vepër shumë e rëndësishme, që synon të zhbllokojë të gjithë trafikun e Tiranës, sidomos në orët e pikut, shpresojmë t’a mbyllim sa më shpejtë”, u shpreh Balluku. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se kjo nuk është thjesht një vepër infrastrukturore, por edhe një hapësirë e re, që i shtohet kryeqytetit dhe veçanërisht banorëve të zonës përreth, pasi ka të parashikuar në projekt të gjithë elementët e nevojshëm për këmbësorët apo edhe lëvizjen e biçikletave. “Kjo nuk është thjesht një vepër infrastrukturore, është një vepër shumë mirë e integruar me qytetin, pasi është një vepër urbane, ku është parashikuar dhe lëvizja e lirë e këmbësore, ka gjelbërim dhe ka edhe ambiente, të cilat mund të përdoren nga banorët e zonës përqark.
Kur e shikon sot duket si një vepër e rëndë infrastrukturore, betoni, hekuri, por ndërkohë ne parashikojmë, që në mbyllje të saj, në sipërfaqe do jetë një vepër shumë miqësore me ambientin”, shtoi ministrja Balluku. Duke kërkuar mirëkuptimin e qytetarët pasi nisja e punimeve solli devijimin e qarkullimit të automjeteve duke shkaktuar edhe trafik, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi se ka nisur puna për planifikimin e segmentit tjetër të Unazës së Madhe që nis nga rrethrrotullimi “Shqiponja” deri në Bulevardin e Ri dhe së shpejti do të nisë puna edhe për planifikimin e segmentit tjetër që nis nga Bulevardi i Ri deri në zonën e Shkozës.
“Kur mendojmë se çfarë rezultati do ketë në pak muaj, në më pak se një vit ndoshta e gjithë vepra, të gjithë lotet, tre lotet që kemi këtu, për të nisur më pas punën, të cilën po projektojmë sot nga “Shqiponja” dhe deri në Bulevardin e Ri dhe më pas nga Bulevardi i Ri deri në Shkozë, besoj se të gjithë tregojnë mirëkuptim, pasi asgjë nuk bëhet pa vështirësi dhe për më tepër kantieret e mëdha ndikojnë në fluksin e trafikut të një qyteti”, theksoi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë. Në nyjen “Shqiponja” është duke u punuar përgjatë 24 orëve në 7 ditë të javës. Ky objekt është parashikuar të ndërtohet në 5 faza. Në fund të muajit Gusht pritet të përfundojnë punimet në dy fazat e para dhe të nisë puna për fazën e tretë./Burimi: Lexo.al
Më të lexuarat








