Tregu i banesave po përmirësohet pas një recensioni gati trevjeçar. Banka e Shqipërisë raporton se, në fund të vitit 2014, zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme treguan një situatë lehtësisht të përmirësuar.
Gjatë tremujorit të fundit të vitit 2014, indeksi i çmimit të banesave u përmirësua me 1.2% ndaj një viti më parë, nga një trend rënës që kishte nisur që nga tremujori i fundit të 2013. Agjentët e pasurive të paluajtshme janë më optimiste.Kredia për blerje pasurie të paluajtshme u përmirësua në gjashtëmujorin e dytë të vitit dhe norma e interesit për këtë portofol shënoi rënie. Gjithsesi, cilësia e portofolit të kredisë për blerje pasurie të paluajtshme paraqitet e përkeqësuar.
Në të njëjtën periudhë, teprica e kredisë për blerje pasurie të paluajtshme është përmirësuar ndjeshëm ndaj pjesës së parë të vitit me një rritje prej 8.3%. Gjithsesi, gjatë vitit 2014, kjo kredi rezultoi 1% më pak se një vit më parë. Në gjysmën e dytë të vitit 2014, norma e ponderuar e interesit për kredi për blerje pasurie të paluajtshme ka rënë në 6.7%, duke ndjekur prirjen rënëse të normave të interesit të kredisë në treg, si rezultat i një politike monetare lehtësuese. Si rrjedhojë, edhe kostoja22 relative e pagesës së kësaj kredie është zbutur, duke reflektuar kushte më të favorshme për blerjen e pronave të patundshme nga këndvështrimi i huamarrësit.
Gjithsesi, cilësia e portofolit të kredisë për pasuri të paluajtshme vijon të bjerë. Raporti i kredive me probleme për blerje pasurie të paluajtshme u ngjit në nivelin 15.1%, nga 14% që ishte në pjesën e parë të vitit dhe 13.6% një vit më parë.Megjithatë, cilësia e kësaj pjese të portofolit të kredisë mbetet më e mirë se cilësia e portofolit total të kredisë, për shkak të formës së kolateralizimit, e cila dikton një sjellje të kujdesshme për sektorin bankar dhe kredimarrësit.