Secondary Adv

Projektligji per turizmin, ulet TVSH ne 10 per qind, rimbursim per sigurimet

 

Brenda dy javësh do të dorëzohet nga Ministria e Ekonomisë në qeveri projektligji për uljen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për turizmin nga 20% që është aktualisht, në më pak se 10%.


Këtë njoftim e bëri ministri Arben Ahmetaj para deputetëve të Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, ku shoqërohej nga specialistë dhe drejtorë të ministrisë. Gjatë diskutimit të projektligjit “Për turizmin”, deputetët ngritën shqetësimin për regjimin fiskal, që nuk e ndihmon këtë sektor. TVSH-ja është 20%, ndërkohë që vendet e rajonit e kanë nga 6% deri në 10%, ndërsa direktiva e Komisionit Europian thekson se ajo duhet të jetë jo më shumë se 15%. “Personalisht do të prezantoj përpara qeverisë, besoj brenda dy javësh, një paketë ku përfshihet edhe ulja e TVSH-së”, deklaroi ministri Arben Ahmetaj.
Gjithashtu, në këtë paketë përfshihet rimbursimi i kontributeve të sigurimeve shoqërore për periudhën jashtë sezonit turistik. Sipas Ahmetajt, synohet turizëm gjithëvjetor, duke rritur investimet përmes dhënies me qira të tokave shtetërore me 1 euro për 99 vjet, si dhe të mos lejohet zhvillimi kaotik në këtë sektor.


Investime strategjike në turizëm
Çështje që ngjalli kundërshtime në komision ishte ajo e investimeve strategjike në turizëm, për të cilën opozita thotë se drafti nuk parashikon një procedurë të qartë konkurrimi për sipërmarrësit që do të përfitojnë nga politika “1 euro” e shtetit. “Jepen disa mundësi për sipërmarrjen, që nga ofrimi i tokave shtetërore me afat 99 vite, por sigurisht me procedurë të hapur tenderi, që do të përcaktohet me vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave.
Simbolikisht qiraja do të jetë ‘1 euro’”, deklaroi ministri Arben Ahmetaj. “Bazuar në nenin 35, ministria nënshkruan marrëveshje zhvillimi me investitorët, pa vendosur asnjë lloj kriteri. Që do të thotë se një miku juaj vjen në ministri dhe nënshkruan një marrëveshje me ju”, deklaroi Helidon Bushati, deputet i PD-së. “Ajo që thatë nuk është e vërtetë.


Klasifikimi i hoteleve
Së pari, dhe tepër e rëndësishme, çdo gjë është me prokurim”, reagoi Ahmetaj. Duke folur për cilësinë, Ahmetaj u shpreh se ligji parashikon standardizimin dhe klasifikimin e strukturave akomoduese me asistencën e një kompanie të huaj.
Gjatë diskutimeve në komision, Ahmetaj theksoi se hotelet në Shqipëri duhet të marrin asistencë të huaj për klasifikimin e tyre, teksa nënvizoi faktin se nuk ka ende një resort me pesë yje. Ministri deklaroi se duhen vendosur rregulla për cilësinë e produkteve. “Standardizimi i hoteleve rrit cilësinë e shërbimeve”, tha Ahmetaj.


Harta detare për kroçieret
Po ashtu, një tjetër nismë është ajo për të sqaruar kompanitë detare të sigurimit mbi disa harta, ku Shqipëria rezulton territor i minuar, çka ndalon jahtet dhe kroçieret të ndalojnë në bregdetin shqiptar. “Ligji nuk do të bëjë çudira, por është fillim i mirë për turizmin. Do të japë më shumë mundësi për sipërmarrje për shfrytëzimin e territoreve të plazheve. Ne synojmë uljen e informalitetit dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve”, tha ndër të tjera Ahmetaj. Gjithashtu, sipas ministrit, projektligji synon të krijojë kuadrin ligjor të nevojshëm, që turizmi të mbështetet si një sektor kryesor ekonomik, i cili krijon vende të reja pune, kontribuon në uljen e varfërisë dhe ofron mundësi fitimi e rritjeje, veçanërisht për komunitetet rurale, me synimin e harmonizimit të tërësisë së veprimtarive turistike.


Ndërkohë, për shkak të zgjedhjeve vendore, komunat dhe bashkitë nuk janë të fokusuara siç duhet në pastrimin e plazheve. Në këtë kuadër, në komision u raportua se qeveria do të shqyrtojë me vendim të posaçëm shtimin e numrit të punonjësve të Agjencisë së Bregdetit, me qëllim funksionimin normal gjatë sezonit.


Më të lexuarat