Rivitalizimi i rrjetit hekurudhor: 3 linja ne proces investimi, nje perfundon kete vit
Bashkimi Europian dhe bankat e zhvillimit po inkurajojnë rivatilizimin e sistemit të vjetër hekurudhor në vendin tonë.
Përveç linjës së re hekurudhore, Tiranë -Durrës -Rinas me kosto 90,4 milionë euro, punimet e së cilës pritet të nisin në fund të vitit dhe të zgjasë 30 muaj, linja të tjera janë në proces rehabilitimi. Burimet zyrtare nga Ministria e Transportit bëjnë me dije se është në proces rehabilitimi i linja hekurudhore Vorë – Hani Hotit. Punimet e rehabilitimit filluan në dhjetor 2018 dhe parashikohet të realizohen brenda dhjetorit 2020. Një grant 4,5 milionë euro është angazhuar nga Fondi Ballkanit Perëndimor dhe BE. Sakaq, ka përfunduar studimi i parafizibilitetit për ndërtimin e linjë të re hekurudhore me Greqinë nga Korça.
Ky projekt është një aplikim i përbashkët i Hekurudhave Greke dhe ministrisë Shqiptare e Infrastrukturës në kuadër të Programit INTERREG dhe do të kushtojë 900 mijë euro. Ka përfunduar studimi i fisibilitetit për rehabilitimin i hekurudhës Durrës – Pogradec – Lin dhe ndërtimi i një hekurudhe të re lidh Linin me Maqedoninë Veriore (pjesë e Korridorit VIII hekurudhor). Ky studim përfshin edhe linjën hekurudhore përgjatë Korridorit 8, Durrës – Rrogozhinë dhe Rrogozhinë – Pogradec. Për linjën Durrës-Rrogozhinë është në proces studimi i detajuar i hekurudhës.
Ndërsa për aksin Rrogozhinë-Pogradec është në proces studimi preliminar dhe Vendimi i Ndikimit në Mjedis. Forumi i Ekonomik i Vjenës i rekomandoi së fundmi Komisionit Europian të financojnë ndërtimin e linjave hekurudhore të shpjeta, njëra prej të cilëve propozohet të kalojnë edhe në Shqipëri. Linja që propozohet të prekë Shqipërinë do të nisë në Berlin, Çeki, Austri, Kroaci, Bosnjë, Mal i Zi, Shqipëri, Kosovë, Bullgari, Serbi, Rumani, Hungari.
Një degëzim i kësaj linje propozohet të shtrihet nga Sofja, në Maqedoni, pastaj nga Greqia deri në Qipro. Hekurudha duhet të lidhë qytetet me të zhvilluara të Europës me vende e pazhvilluara të kontinentit të tilla si Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit. Ndërsa linjat e tjera të propozuara do të lidhin vendet e baltikut me Spanjën. Nga kjo linjë do të ketë një tjetër që do të zgjatet në itali dhe një në Britaninë e madhe./Burimi: Monitor