
Tre skenaret e Ministrise se Arsimit: Nga mesimi me turne tek masat anti-Covid
Për të zbatuar protokollet anti-covid vendosur nga komiteti teknik i eksperteve, nisja e vitit te ri shkollor do i gjejë nxënësit duke zhvilluar mësim në turnin e tretë ose të katërt.
Gerti Janaqi, Drejtor për Sigurimin dhe Cilësinë në arsimin parauniversitar në një intervistë për Report tv thotë se zbatimi i udhëzimit me 1.5 m distancë nga nxënësit, me vetëm 1 person në bankë, do të përshtatet në varësi të ambienteve të shkollave dhe numrit të nxënësve. “Në zonat urbane mund të ketë një alternim të shkollave që mund të punojnë me një turn dhe shkolla të cilat janë me nxënës të shumtë, ose janë të dëmtuar nga tërmeti të cilat do duhet të operojnë me orë të shkurtuar me 30 minuta, që do duhet të punojnë me dy turne ose tre turne” tha Janaqi.
Por ministria ka edhe dy skenarë të tjerë. Me një turn ku realizohet distanca, ose rikthimi te mësimi online. “Në 70% të shkollave, në masën më të madhe mësimi do të zhvillohet normalisht me një turn, pasi janë shkolla më të vogla, në qytete më të vogla se në zonat urbane dhe është e mundshme respektimi i protokollit të sigurisë. Skenari i tretë, shpresoj mos të ndodhi është mësimi online, por pjesa e mësimit të kombinuar me atë online kur shkollat janë të mbingarkuara mund të jetë një proces norma” tha ai. Këto 3 skenarë do të vendosen në dispozicion nga Ministria e Arsimit, dhe do të jetë vetë shkolla në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore qe do përcaktojë cilin skenar do të ndjekë.
“Udhëzuesi u jep fleksibilietin shkollave të vendosin se cilin nga skenarët do të ndjekin. Është shkolla, bashkë me drejtorinë arsimore që vendos se cili nga skenarët është aplikueshëm, për atë kategori fëmijësh që kanë. Plani do të prezantohet shkollë pas shkolle. Çdo prind do njoftohet nga drejtoria e shkollës për mënyrën si do të zhvillohet mësimi. Nëse shkolla do të jenë të mbingarkuar do njoftohen për orarin dhe për shkurtesat e orëve të mësimit”. Report tv u interesua edhe për shkollat të cilat janë shembur nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, e që këtë vit nuk do ti hapin dyert për nxënësit. Në Tiranë janë 17 shkolla të cilat nuk do të hapen. 11 shkolla janë në fazë rindërtimi, ndërsa 6 në fazë rikonstruksioni. Në zonën e Krujës nuk do të hapen 13 shkolla të tjera.
Përfaqësuesi i Ministrisë së Arsimit shpjegoi se nxënësit e këtyre shkollave do të vendosen në shkolla të tjera më të afërta dhe mësimi mund të zhvillohet më mënyrë të kombinuar, një javë mësim online, dhe një javë mësim në shkollë. Do të lejohet shfrytëzimi i gjithë ambienteve të tjera të shkollës. “Këta nxënës do të transferohen në shkolla të tjera, mësimi do të zhvillohet në mënyrë të kombinuar, përvecse me turne, në ato raste kur nuk respektohet protokolli i sigurisë, mund të ketë dhe kombinime rast pas rasti të javëve çift dhe javëve tek, që do të thotë klasa të caktuara vinë ballë për ballë dhe javën tjetër e zhvillojnë mësimin online.
Në ato shkolla ku ka pasur dëmtime do të ketë spostim në ambiente të tjera për ta zhvilluar mësimin në mënyrë të kombinuar. Bibloteka, palestra, laboratorë do të higjenizohen dhe mund të përdoren rregullisht për procesin mësimor. Module të caktuara mund të zhvillohen online, në natyrë”. Rregullat anti covid në shkollë do të rrisin nevojën e të pasurit më shumë mësues. Janaqi shpjegon dhe rolin që do të kenë mësuesit në këtë proces.
“Shkollat do të kenë një mësues, që do të quhet mësuesi kordinator për masat anti covid, shkolla ka detyrimin që do përcaktojë mësuesit që hyjnë brenda në klasë, cfarë ndodh nëse ka një fëmijë të dyshuar me Covid, protokollet për higjenën. Nëse do jetë e nevojshme për mësues shtesë do të merren, do të ketë buxhete të dedikuara. Prindërit të jenë të qetë, do sforcojmë veten për të zbatuar protokollin e sigurisë”. Udhëzimi i fillimit nga Ministria e Arsimit do të sqarojë dhe elementët konkretë se si do implementohet protokolli i sigurisë nga nxënësit në shkolla. Ky udhëzues i detajuar pritet të publikohet brenda javës./Burimi: Shqiptarja.com
Më të lexuarat








