Pandemia goditi rende biznesin: 28 subjekte ne dite u mbyllen gjate korrikut
Të dhënat e tatimeve për bizneset që kalojnë në statusin pasiv, tregojnë se në korrik 860 subjekte kaluan në status pasiv, nga 623 në korrik të një viti më parë.
Mesatarisht 28 subjekte kanë ulur qepenat në ditë gjatë korrikut. Arsyet janë të ndryshme, por pjesa më e madhe e tyre lidhen me situatën e krijuar pas pandemisë, teksa njerëzit po reduktojnë shpenzimet për produkte dhe shërbime jo të domosdoshme. Tabela “jepet me qira” po shihet tashmë rëndom në shumë rrugë të kryeqytetit, çka po çon në një ulje të qirave. Agjencitë imobilare në vend pohojnë se pas karantinës, numri i dyqaneve të mbyllura u rrit, ndërsa zgjatja e pandemisë përtej parashikimeve, që ka frenuar konsumin, ishte goditja e dytë pas karantinës dymujore.
Kjo situatë ka ndikuar në uljen deri në 16% të qirave të dyqaneve. Agjencitë imobilare thonë se ka pasur ulje deri në 10% edhe në disa nga rrugët kryesore të Tiranës. Të dhënat e INSTAT bënë të ditur se në total, pa përfshirë bujqësinë, numri i subjekteve në vend ishte 116.6 mijë në vitin 2019. Pjesa më e madhe e tyre janë të vogla, me 1-4 punonjës dhe operojnë në fushën e tregtisë. Gjithsej në fund të 2019-s, në vend kishte 99 mijë biznese me 1-4 punonjës, duke përbërë 85% të totalit të ndërmarrjeve jo bujqësore në vend.
38% e subjekteve në vend, ose rreth 44 mijë, janë në fushën e tregtisë, duke qenë direkt të prekur nga kriza e konsumit. 26% janë në fushën e shërbimeve, edhe ky një segment i goditur. Numri i bareve, restoranteve e njësive të akomodimit është rreth 18.4 mijë, ose 16% e bizneseve gjithsej në vend. Tkurrja e numrit të bizneseve, sidomos atyre të vogla kishte nisur që në 2019-n. Në raport me një vit më parë janë mbyllur neto rreth 4 mijë biznese, me një rënie prej 2.5%. Të dhënat e detajuara të INSTAT bëjnë të ditur se kjo rënie ka ardhur tërësisht nga falimentimi i subjekteve të vogla më 1-4 punonjës. 4,300 biznese të vogla u mbyllën në 2019-n, me një tkurrje prej 4.1% me bazë vjetore./Burimi: Monitor