Covid prek taksat lokale ne te gjithe vendin: Ja sa humben Bashkite ne 7 muaj
Të ardhurat e 61 bashkive në vend kanë rënë me 17 milionë euro për 7 muajt e parë të vitit, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas treguesve fiskalë të publikuar nga Ministria e Financave, vendorët mblodhën afro 13 miliardë lekë për periudhën Janar-Korrik 2020, nga 15.2 që akumuluan në 7-mujorin 2019. Rënia llogaritet në rreth 14 për qind. Ndërsa në raport me planifikimin, ka një rritje të lehtë të të ardhurave. Referuar zërave, rënien më të madhe e kanë taksat lokale me 14.6 për qind, për shkak të periudhës së pandemisë COVID 19, ku për t’ju ardhur në ndihmë bizneseve dhe individëve, një sërë detyrimesh u pezulluan apo u shtyn për vitin e ardhshëm.
Konkretisht nga taksat lokale janë mbledhur 9.7 miliardë lekë, apo rreth 1.7 miliardë lekë më pak se në 2019-ën. Po ashtu me rënie 13.5 për qind regjistrohet dhe taksa mbi ndërtesat ku janë mbledhur 3 miliardë lekë apo rreth 470 milionë lekë më pak. Ndërsa të ardhurat nga taksa mbi biznesin e vogël kanë pësuar një rritje të lehtë, pavarësisht situatës me të cilat u përballën subjektet duke ndërprerë aktivitetin ekonomik për pothuajse dy muaj./Burimi. Scan