
Ligji per kompesimin e pronave, shtyhet afati deri ne tetor
Miratohet ditën e djeshme me 91 vota pro ligji për kthimin dhe kompesimin e pronave, i cili do t’i krijojë mundësinë ish-pronarëve të pasurive të paluajtshme zgjatjen e afateve me 6 muaj për trajtimin e kërkesave të tyre për njohje, kthim dhe kompensim pasurie nga data 30 prill 2015 më 30 tetor 2015.
Kryeministri Edi Rama deklaroi në Kuvend se brenda gjashtë muajve qeveria do të paraqesë në Parlament ligjin e ri “për kthimin dhe kompensimin e pronave”, i cili do t’i japë zgjidhje kësaj problematike duke nisur nga viti i ardhshëm.
Shtyrja edhe me 6 muaj e afatit për hartimin e ligjit të ri dhe zgjidhjen e çështjes së kthimit dhe kompensimit të pronave, u miratua në Parlament me 91 vota pro, 1 abstenim dhe asnjë kundër. Kryeministri deklaroi së janë në total 26 mijë vendime për kompensim që janë marrë që prej vitit 1993 e në vazhdim që presin të marrin paratë. Ndërkohë në zyrat e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave janë 9300 që presin shqyrtim dhe pritet të përfundojnë pas ndryshimeve ligjore.
Paraprakisht grupi i punës që po punon për hartimin e ligjit ka bërë të ditur se do të ndryshojë formula e kompensimit, por kanë dhënë më shumë detaje për formulën e re.
“Ligji ‘për kthimin e pronave’, i miratuar në vitin 2004 përfshin 31 nene, dhe përgjatë tetë viteve të qeverisjes së Partisë Demokratike, u ndryshuan 24 prej tyre. Kjo do të thotë që ligjit nuk i ka mbetur ‘as nam e nishan’, duke sjellë më shumë kaos në lidhje me pronat dhe marrëdhëniet e pronarëve me shtetin. Nuk ka më asnjë arsye që ky ligj të ekzistojë, ndaj brenda 6-muajve të ardhshëm do të sjellim ligjin e ri që do të sjellë zgjidhjen e kësaj problematike, që nga viti i ardhshëm”, u shpreh kryeministri në seancën e djeshme plenare, ndërsa u diskutuan disa ndryshime në ligjin “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”.
Dosjet
Kryeministri Edi Rama vuri në dukje angazhimin e administratës së re për sistemimin e dosjeve që lidhen me këtë çështje, të cilat, sipas tij, janë shqyrtuar, duke anashkaluar interesat klienteliste. “Arkivin ne e gjetëm si një depo dosjesh, ku dokumentet e pronave të shqiptarëve bashkëjetonin me minjtë dhe lagështirën, dhe faktikisht, asnjëherë nuk u tha se sa dosje kishte ajo depo.
Nuk ka asnjë raportim zyrtar gjatë tetë viteve të shkuara ku të jetë renditur numri i dosjeve dhe faktikisht nga ajo depo dolën 9300 dosje që janë sistemuar dhe presin vendimmarrjen administrative, pas kryerjes së një inventarizimi të mundimshëm, të asaj lloj magazine që ishte një shëmbëlltyrë e turpshme e shtetit shqiptar”,-tha Rama.
Sipas tij sot nuk ka më dosje të përzgjedhura apo të shqyrtuara sipas klientit të radhës, por të gjitha dosjet e identifikuara kanë dalë automatikisht për shqyrtim. Ndërkohë opozita ka kundërshtuar qëndrimin e qeverisë, duke e cilësuar ndryshimin ligjor të paraqitur në Parlament si “dështimin e radhës”.
Sipas relacionit që shoqëron projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr.9235, datë 29.7.2004, për kthimin dhe kompensimin e pronës, të ndryshuar”, propozohet që në funksion të mbrojtjes dhe garantimit të së drejtës kushtetuese të pronësisë, për të siguruar rivendosjen e saj, në rastet e heqjes në mënyrë të padrejtë, në përputhje me parimin e sigurisë juridike dhe shtetit të së drejtës si dhe të ushtrimit të së drejtës së shpronësimit të pronës përkundrejt një shpërblimi të drejtë.
Me miratimin e këtij projektligji synohet t’u jepet mundësia ish-pronarëve të pasurive të paluajtshme, për të vazhduar dhe ushtruar të drejtat e mohuara të pronësisë, duke zgjatur afatet për paraqitjen dhe trajtimin e kërkesave të tyre për njohje, kthim dhe kompensim pasurie.
Më të lexuarat








