MSH perditeson te dhenat: Rritet numri i rasteve me Covid ne 24 oret e fundit
Rritet numri i të infektuarve me Covid 19 në vendin tonë, po ashtu edhe numri i viktimave.
Në përditësimin e të dhënave për sot 31 gusht 2020, Ministria e Shëndetësisë bëri me dije se në 24 orët e fundit e kanë humbur betejën me virusin 4 pacientë në të dy spitalet covid. Po ashtu raportohet se numri i rasteve të reja të infektuara është 133 raste. Situata epidemiologjike në vend në javën e fundit paraqitet e qëndrueshme. Pozitiviteti është i njejtë me një javë më parë. Mesatarja javore e rasteve të reja për javen 35 është 153 raste /javë. Ju informojmë mbi situatën epidemiologjike në vend.
Gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë kryer 820 testime për vlerësimin e infektimit nga virusi SARS COV2, dhe 133 persona janë konfirmuar pozitivë me COVID-19. Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 68 raste në Tiranë, 10 në Elbasan, 9 në Durrës, 7 në Lezhë, 6 në Berat, nga 5 raste në Krujë, Fier, 4 në Korçë, nga 3 raste në Kukës, Gjirokastër, nga 2 raste në Kurbin, Kavajë, Vlorë, Tropojë, Kuçovë, nga 1 rast në Shkodër, Devoll, Pogradec. 75 qytetarë janë shëruar në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin e të shëruarve në 5214, që nga fillimi i epidemisë.
Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 180 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 17 në terapi intensive nga të cilët vetëm 6 pacientë janë të intubuar. Ju informojmë se në dy spitalet COVID janë gjithashtu duke marrë shërbim të specializuar 45 qytetarë të cilët kanë qenë pozitivë me COVID-19 dhe aktualisht janë negativizuar, por po vijojnë të marrin trajtim spitalor për pasojat e sëmundjes. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, fatkeqësisht, në dy spitalet COVID, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen; një 56 vjeçar nga Tirana, një 70 vjeçare nga Elbasani, një 77 vjeçar nga Durrësi, një 87 vjeçar nga Fieri. I shprehim ngushëllimet familjarëve.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju bën thirrje qytetarëve që të mos e ulin vigjilencën për asnjë moment. Të ruajnë distancimin fizik, të vendosin maskën detyrimisht në ambientet e mbyllura dhe kudo ku nuk ruhet distanca, të kujdesen për higjienën personale. izneset dhe institucionet publike duhet të zbatojnë me përpikmëri protokollet e miratuara të sigurisë, për të ruajtur shëndetin e qytetarëve. Në rast se dyshoni se jeni të prekur nga COVID19 dhe keni shenja të sëmundjes, të telefononi menjëherë Urgjencën Kombëtare në numrin 127 ose në linjën e gjelbër falas 0800 40 40 për t’u lidhur me mjekun tuaj të familjes.