Aeroporti i Kukesit, se shpejti gati per fluturime nderkombetare me kosto te ulet
Aeroporti në Kukës do të jetë së shpejti i gatshëm për fluturimet ndërkombëtare. Kështu deklaroi ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto, i cili inspektoi sot disa nga veprat më të rëndësishme në qytetin e Kukësit.
Aeroporti i Kukësit është realizuar me financimin Emirateve të Bashkuara Arabe, si një investim dhe vepër dinjitoze, e cila është aktualisht në gjendje konservimi nga autoritetet e Aviacionit Civil. Gjatë inspektimit Ministri Haxhinasto vlerësoi se aeroporti është mirëmbajtur në një gjendje tepër të mirë dhe ka kushte teknike të mira, dhe disa nga ndryshimet që ky aeroport ka nevojë, do të realizohen së shpejti. “Aeroporti duhet të jetë i gatshëm për një situatë të re ku fluturimet ndërkombëtare mund të lejohen dhe uroj që të jetë si një bazë e mirë për fluturime, veçanërisht për ato low cost. Kapacitetet që parashikohen të përpunojë ky aeroport mund të punësojnë mbi 200 punonjës, mundësi shumë e mirë për të rinjtë e qytetit”, tha ai.
Në fillim të vizitës së tij, ministri u ndal në Dublimin e Urave të Kukësit në segmentin Kukës Morinë ku aktualisht operohet në pjesën më të madhe të rrugës me gjysmën e gjerësisë së rrugës. Haxhinasto theksoi rëndësinë dhe prioritetin që ka kjo rrugë, jo vetëm për lidhjen e saj me Kosovën por edhe për rëndësinë që ka për zonën. Vepra "URA3" është aktualisht në fazën e punimeve rreth 80% dhe pritet të përfundojë brenda 2015. Në fund të vizitës së tij ai u ndal në zyrën e Kryetarit të Bashkisë ku u diskutua për zhvillimin ekonomik dhe turistik të zonës për të rritur dhe punësimin e banorëve të Kukësit dhe zonave përreth. Takimi u fokusua në prezantimin me investimin e ri të DPUK në Ujësjellësin e Kukësit për furnizimin e banorëve me ujë të pijshëm.
Ky investim i ri i DPUK, Faza 2, Ujësjellësi Kukës është në vlerën 187 milionë Lekë dhe do të furnizojë rreth 40 mijë banorë të qytetit dhe zonave rreth tij , ku është konsideruar dhe parashikuar çdo kërkesë e Bashkisë së qytetit. “Ky investim i ri do të sjellë furnizim me ujë prej 24 katër orësh për rreth 40 mijë mije banorë më prurje mbi 250 litra në sekondë. Është një investim shumë i rëndësishëm, i cili ka pasur sagën e tij por ky investim do të zgjidhë cdo problematikë dhe do të sjellë ujë në rubinetet e çdo qytetari”, tha Haxhinasto.