Tenderat per nevojat e institucioneve: ABP njofton afatin e fundit per kerkesat
Agjencia e Blerjeve të Përqendruara që kryen procedura tenderimi për institucionet u ka kërkuar të dërgojnë kërkesat e tyre për nevojat që kanë deri më 11 shtator.
Kjo lidhet me ato procedura që kanë në thelb marrëveshjet kuadër dhe që funksionojnë për një pjesë specifike të mallrave dhe shërbimeve. “Me qëllim zhvillimin dhe realizimin në kohë të procedurave të prokurimit nga ABP, për objektet e prokurimit që zhvillohen nëpërmjet Marrëveshjes Kuadër, për të cilat autoritetet kontraktore kanë kontrata që përfundojnë brenda vitit 2020 dhe për të cilat nuk kanë dërguar kërkesat për prokurim pranë organit qendror blerës ABP, me të dhënat teknike dhe sasiore përkatëse, njoftojmë se duhet të dërgojnë kërkesat e tyre në ABP sa më shpejt, por jo më vonë se data 11 Shtator 2020” thuhet në kërkesën e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara publikuar nga Agjencia e Prokurimit Publik. I njëjti nënvizon se Autoritetet kontraktore duhet të dërgojnë pranë ABP-së, të dhënat teknike, sasiore dhe fondin përkatës për mallrat e shërbimet që do të prokurohen nëpërmjet Marrëveshjes Kuadër, për secilin nga objektet e prokurirnit:
1.1 Blerje karburanti, përveç vajgurit Jet Al;
1.2 Blerje materiale kancelarie;
1.3 Blerje orendi dhe pajisje për mobilim zyrash;
1.4 Blerje materiale të ndryshme për pastrim;
1.5 Blerje uniforma dhe elemente te tjera përbërëse të tyre;
1.6 Blerje këpuce;
1.7 Blerje pjesë këmbimi për automjete, për shërbimet profilaktike;
1.8 Blerje tonera;
1.9 Blerje artikuj ushqimore;
1.10 Blerje materiale të buta dhe veshmbathje;
1.11 Botime, printime dhe materiale shtypshkrimi, me përjashtim të shtypshkrimeve dhe të letrave me vlere që prokurohen sipas legjislacionit në fuqi;
1.12 Sigurim automjetesh;
1.13 Shërbim gatimi dhe shpërndarje ushqimi;
1.14 Shërbim pastrimi;
15 Shërbim gjelbërimi;
1.16 Shërbim dezinfektimi;
1.17 Shërbim lyerje dhe mirëmbajtje ndërtesash;
1.18 Riparim dhe mirëmbajtje automjetesh:
1.19 Riparim, mirëmbajtje sistemi të ngrohje-ftohjeve;
1.20 Mirëmbajtje impiante elektrike.
Lidhur me specifikat ABP ka nënvizuar se subjektet duhet të dërgojnë pranë saj kërkesë të veçantë me shkrim për objektin dhe afatin e prokurimit, të bëhet parashikimi dhe përllogaritja e fondit të marrëveshjes kuadër që nuk mund të jetë më pak se dy vjet, specifikimet teknike dhe sasitë e pritshme bashkë me çmimin për njësi, grafikun e lëvrimit të mallrave dhe personin e kontaktit në institucion./Burimi: Monitor