Secondary Adv

Nisin punimet per rikonstruksionin e segmentit Mbikalimi i Trenit-Mes ne Shkoder

 

356 milionë lekë do të investohen për rikonstruksionin e segmentit Mbikalimi i Trenit-Mes ne Shkoder, ndërsa kryetari i Kuvendit, Ilir Meta dhe ministri i Transporteve, morën pjesë sot në inaugurimin e punimeve.


Ky është një investim i qeverisë që shkon në një shumë prej 356 milionë lekësh, dhe që pritet t’i kthejë shkëlqimin kësaj zone historike. Gjatë fjalës së tij, Meta tha se impakti i këtij investimi do të jetë domethënës për rreth 70 mijë banorë të Shkodrës.
Kreu i Kuvendit foli për projektin e qeverisë për të urbanizuar të gjitha hapësirat edhe përtej qyteteve të deritanishme dhe për të rritur potencialet që kanë të bëjnë me turizmin, bujqësinë dhe industrinë.

 


“Dua të shpreh kënaqësinë që ky projekt i ri sapo ka nisur të marrë jetë dhe brenda pesë muajsh mesa duket do të vijmë për ta inauguruar përfundimin e tij. Impakti do të jetë mjaft domethënës për gati 70 mijë banorë qytetarë të Shkodrës dhe tregon qartë që kjo qeveri është mjaft e interesuar për të urbanizuar të gjitha hapësirat edhe përtej qyteteve të deritanishme me qëllim një zhvillim më të integruar të gjithë zonës dhe natyrisht për të rritur të gjitha potencialet që kanë të bëjnë me turizmin, agro-turizmin, të bujqësisë, por edhe të mundësive për të rriturin kapacitetet për të zhvilluar industritë, pasi kjo është një zonë edhe industriale”, deklaroi Meta.

 


Ndërsa, Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto theksoi rëndësinë e këtij projekti, që përveç të tjerash, do të krijojë një akses edhe zonës turistike të Thethit. Ministri premtoi se ky segment rrugor do të përfundojë brenda afateve dhe se punimet do të bëhen me standarde cilësore.
“Autoritet Rrugor Shqiptar e ka konsideruar këtë një projekt të rëndësishëm për vetë natyrën e tij, ndonëse rreth 4 km me një investim prej 365 milionë lekë të reja ai zgjidh shumë probleme për një zonë të gjerë. Janë 7 njësi vendore, ose ish-komuna, që përfitojnë prej tij dhe për më tepër lidh dy qendra të rëndësishme historike për këtë zonë dhe krijon absolutisht një akses tjetër sa i takon zonës turistike në drejtim të Thethit. Do ta vlerësoja si një segment rrugor të rëndësishme me një standard shumë të përshtatshëm për tipologjinë e kësaj zone. Sigurisht që kompania është angazhuar plotësisht dhe jemi të bindur që projekti do të përfundojë brenda 5 muajsh, por kërkesat tonë janë që të jetë me standardin më të lartë të mundshëm që ka projekti”, - deklaroi z. Haxhinasto, i cili premtoi se investimet në këtë zonë do të vazhdojnë.

 


“Përfundimi i unazës lindore është duke u kryer, një vepër tjetër shume e rëndësishme për Shkodrën. Po kështu është edhe projekti i sinjalistikës Fushë Krujë-Hani Hotit që do të sjellë përfitime edhe për rrjetin rrugore të Shkodrës mbi të gjitha do të sjelli një standard krejtësisht tjetër sigurie për të gjithë”, përfundoi ministri.


Më të lexuarat