Rritet lista e borxhlinjve ne biznes, 15 mije kompani nuk paguajne taksat
Rënia e qarkullimit të parasë në treg ka shtuar edhe listën e borxhlinjve në tatime. Numri i bizneseve, që nuk kanë paguar taksat deri në fund të muajit prill, ka shkuar në 15 mijë nga 13 mijë që ishte një vit më parë.
Sipas shifrave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, vetëm gjatë këtij viti numri i sipërmarrjeve private, të cilat nuk kanë shlyer detyrimet, është rritur me 15% krahasuar me një vit më parë, ndërkohë që për 117 ndërmarrje kanë nisur procedurat e falimentimit. Sipas të dhënave zyrtare, lista e borxhlinjve të këqij në tatime u shtua nga fillimi i këtij viti deri më 8 prill edhe me 2038 subjekte, një ritëm rritjeje shumë më i lartë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Po nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, mësohet se lista e bizneseve ndaj të cilëve ka nisur grumbullimi i detyrimeve me forcë ka arritur në 15133, nga 13095 që ishin në fund të vitit 2014. Rritja me 15% e subjekteve të përfshira në listën e zezë të tatimorëve është një tregues i likuiditeteve të përkeqësuara, për shkak se bizneset nuk kanë arritur të shlyejnë në kohë detyrimet e papaguara tatimore. Lista e tatimpaguesve me detyrime të papaguara në afat, ndaj të cilëve administrata tatimore, në zbatim të nenit 91 të Ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, tregon se, ndaj këtyre bizneseve janë marrë masat e sigurimit mbi të gjithë pasuritë për ekzekutimin e detyrimeve dhe se ka filluar procedura e mbledhjes me forcë e tyre.
Tatimorët e publikojnë listën e zezë, në mënyrë që personat e tretë të marrin dijeni për fillimin e këtyre procedurave dhe që organet apo institucionet të cilët kanë bërë regjistrime të pasurive të luajtshme apo të paluajtshme të tatimpaguesve debitorë, të regjistrojnë detyrimin tatimor të papaguar si barrë mbi këtë pasuri dhe të mos lejojnë kryerjen e transaksioneve për transferimin e tyre deri kur detyrimi tatimor të jetë paguar. Në vështirësi për para cash, shumë biznese po i drejtohen tregut informal për likuiditet. Nga ana tjetër, qytetarët janë të demotivuar të mbajnë kursimet në banka, për shkak të interesave të ulëta të depozitave, jo më shumë se 1.5% në vit.
Në shkurt të këtij viti, paraja jashtë bankave arriti në 217 miliardë lekë ose 13% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Këto para që po dalin nga bankat janë kursimet e individëve, të cilët po i tërheqin nga llogaritë bankare për t’i investuar në forma të tjera me fitim më të lartë, pasi kërkesa në treg për cash është e madhe dhe jepet interes shumë i lartë./Gazeta Shqip