Pagat nuk njohin krize, pesojne rritje ne tremujorin e dyte
Pas treguesve të punësimit edhe niveli i pagave duket se i ka rezistuar krizës që krijoi pandemia Covid-19.
Sipas të dhënave nga INSTAT paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, gjatë tremujorit të dytë 2020, është 54.149 lekë, duke u rritur me 2,9 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar. Rritja është shkaktuar nga pagat me të larta në sektorin e teknologjisë dhe informacionit dhe në sektorin bankar. Të dy këta sektorë kanë punuar normalisht edhe gjatë pandemisë. Paga në “Aktivitetet financiare dhe të sigurimit” u rrit me 12% në tremujorin e dytë në krahasim me të parin, nga 104.9 mijë lekë, në 117.9 mijë lekë.
Ky aktivitet ka dhe pagat më të larta në vend. Informacioni dhe komunikacioni është një tjetër sektor që ka qenë i zënë me punë gjatë pandemisë, teksa pjesa më e madhe e punës kaloi online, duke rritur kërkesën për shërbime IT. Të dhënat e INSTAT tregojnë se paga mesatare në aktivitetin e Informacioni dhe komunikacioni u rrit me 7.8%, nga 78.5 mijë lekë, në 84.5 mijë lekë. “Informacioni dhe komunikacion” është aktiviteti i dytë më i paguar në vend, pas “Aktivitetet financiare dhe të sigurimit”. Sipas INSTAT, gjatë tremujorit të dytë 2020, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, në sektorin e aktiviteteve financiare dhe të sigurimit, është 2,18 herë më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar, ndërsa në grup-aktivitetin e Bujqësi, pyje dhe peshkim është 37,5 % më e ulët.
Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të dytë 2020, paga mesatare bruto përgrup-aktivitetin e industrisë, ka rritjen më të madhe prej 4,4 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, ndërsa Bujqësia, pyjet dhe peshkimi ka një ulje prej 13,9 %. Gjatë tremujorit të dytë 2020, paga mesatare mujore bruto, për një të punësuar në grup-profesionin e ligjvënësve, nëpunësve të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorëve ekzekutivë, është 77,3 % më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar, ndërsa në grupin e Punëtorëve (Profesione elementare) është 41,1 % më e ulët.
Paga për grup-profesionin e Punonjësve të shitjeve dhe të shërbimeve ka rritjen më të madhe prej 4,9 % gjatë tremujorit të dytë 2020, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, ndërsa për grup-profesionin të punësuarve si Ligjvënës, nëpunës të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorë ekzekutivë ka një ulje, prej 4,1 %. Burimi i të dhënave mbi pagat është Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në bazë të memorandumit të bashkëpunimit i dërgon iNSTAT-it. Paga mesatare mujore përfaqëson pagën bruto që merr mesatarisht një i punësuar për punën që ka kryer në një muaj./Burimi: Monitor