Secondary Adv

Gjermania shtyn serish kufizimet per vendet me rrezik: Nga tetori kritere individuale

Për shkak të pandemisë së Covid qeveria gjermane e ka shtyrë deri me 30 shtator paralajmërimin për rrezikun e udhëtimit në vende të treta jashtë BE. 

 

Situata do të vlerësohet më pas individualisht për secilin vend. Paralajmërimi i përgjithshëm për rrezikun e udhëtimit në rreth 160 vende për shkak të pandemisë, sipas Ministrisë së Jashtme Gjermane, vlen deri më 30 shtator. Qeveria gjermane vendosi për zgjatjen, siç njoftoi një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme, duke fashitur për momentin shpresat e sektorit të udhëtimeve. Ajo shpreson se do të jetë i mundur një konsultim i ngushtë edhe me vendet e tjera të BE. Do të ishte mirë, nëse në Evropë do të kishte një rregullore të përbashkët, deklaroi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme.

 

Që nga tetori vlejnë kritere individuale

Nga tetori Gjermania do të ketë kthim në një “sistem të diferencuar”, në të cilin do të jepen instruksione individuale për udhëtimet dhe sigurinë për secilin vend jashtë Bashkimit Evropian. Paralajmërimet për rrezikun e udhëtimeve në vendet me zona rrezikshmërie mund të hiqeshin, nëse do të kishte për shembull, rregulla për karantinën, u tha në Berlin.

 

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme bëri gjithashtu të qartë, se duke patur parasysh rritjen e numrit të rasteve të koronës në vende të caktuara, mund të ndodhë që para fundit të muajit të lëshohen paralajmërime udhëtimi edhe për disa vende të BE. Kështu për shembull numri i infeksioneve të reja aktualisht po rritet shumë shpejt në Francë. Përgjithësisht edhe në të ardhmen duhen pritur kufizime të udhëtimeve, tha ajo.

 

Paralajmërim nga rreziku i udhëtimeve në Spanjë, disa pjesë të Francës dhe Kroacisë

Vetëm në qershor – menjëherë para fillimit të sezonit kryesor të pushimeve – vendet e Bashkimit Evropian, të zonës Shengen pa kontrolle kufitare, si dhe Britania e Madhe, Andorra, Monako, San Marino dhe Shteti i Vatikanit u përjashtuan. Sidoqoftë, aktualisht ekziston një paralajmërim udhëtimi brenda Evropës, për shembull për Spanjën, për pjesë të Francës dhe Kroacisë dhe kantonet zvicerane të Gjenevës dhe Waadt.

 

Industria e turizmit është një nga sektorët më të prekur nga pandemia e koronës. DRV i frikësohet një vale falimentimesh. Sipas një studimi të shoqatës nga gati 650 e agjencive të udhëtimit, më shumë se 60 përqind e shohin veten të kërcënuar direkt nga falimentimi. Tek operatorët turistikë është gati gjysma./Burimi: Balkanweb


Më të lexuarat