Secondary Adv

Ndryshon rregullorja: Bankat do raportojne per 20 huamarresit me te medhenj

Banka e Shqipërisë miratoi këtë muaj ndryshimet në rregulloren “Për administrimin e rrezikut nga ekspozimet e mëdha”.

 

Rregullorja e ndryshuar do të hyjë në fuqi në qershor 2021 dhe do të kërkojë nga bankat të raportojnë çdo tre muaj ekspozimet tek klientët individualë ose grupeve të personave të lidhur, vlera e të cilave prek kufirin e 10% të kapitalit rregullator të bankës, si edhe ekspozimet që arrijnë kufirin e 10% të kapitalit të nivelit të parë. Bankat duhet të raportojnë çdo tre muaj për 20 ekspozimet më të mëdha të tyre, pavarësisht nëse ato e prekin kufirin e 10% të kapitalit rregullator të bankës. Paralelisht, bankat duhet të raportojnë 10 ekspozimet më të mëdha ndaj institucioneve të mbikëqyrura, pavarësisht nëse arrijnë ose tejkalojnë ose jo 10% të kapitalit rregullator.

 

Një raportim i veçantë duhet bërë për të gjitha ekspozimet e bankave sistemike kundrejt bankave të tjera me rëndësi sistemikem, pavarësisht vlerës. Rregullorja e re vendos edhe limite ekspozimi të bankave sistemike kundrejt njëra-tjetër. Ky limit do të jetë raporti prej 15% ndaj kapitalit të nivelit të parë. Banka e Shqipërisë ka identifikuar pesë banka sistemike, që janë njëkohësisht pesë bankat më të mëdha në vend, BKT, Credins, Raiffeisen, Intesa Sanpaolo dhe OTP. Një raportim më vete do të bëhet për të gjitha ekspozimet, pavarësisht nga vlera, tek personat në marrëdhënie të veçantë me bankën, si administratorët, anëtarët e organeve drejtuese apo aksionerët, etj. 

 

Ndryshimet në rregullore synojnë një kontroll më rigoroz mbi kreditë e mëdha të bankave, por edhe të ekspozimeve e tyre ndaj njëra-tjetrës, me qëllim shmangien e përcjelljes së goditjeve, sidomos në nivel të institucioneve me rëndësi sistemike. Ekspozimet e mëdha tek klientët korporativë dhanë ndikimin kryesor në keqësimin e ciëlsisë së protofolit të kredisë së sistemit bankar gjatë viteve të krizës. Këto ekspozime shkaktuan raporte të kredive me probleme që për banka të veçanta kaluan edhe pragun e 50%./Burimi: Monitor


Më të lexuarat