Secondary Adv

Termetet pergjysmuan rritjen ekonomike: Goditen buxhetin e 2019

Rritja ekonomike e një viti më parë është konkluduar në nivelin e 2.2%, ku prodhimi i Brendshëm Bruto arriti në 1.6 trilionë lekë. 

 

Në projektligjin për "Për miratimin e buxhetit faktik të vitit 2019" të depozituar në Kuvend thuhet se ngadalësimi ekonomik ka ardhur si pasojë e tërmeteve të vitit të kaluar. Buxheti i vitit të kaluar është rishikuar 2 herë, fillimisht për të plotësuar nevojat buxhetore të tërmetit të 21 shtatorit dhe për bonusin e pensionistëve në fund të dhjetorit ku u rishikuan edhe zërat buxhetor si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit dëmet e të cilit kaluan 1 miliardë lekë. Në vitin e kaluar në total janë mbledhur 460.3 miliardë lekë ose rreth 10.4 miliardë më shumë se në vitin 2018, ndërsa shpenzimet ishin rreth 492 miliardë lekë duke u rritur me 15.8 miliardë lekë si pasojë e nevojës për të mbështetur familjet e dëmtuara nga tërmeti i nëntorit. 

 

Ndikim në mos realizimin e objektivit për një rritje ekonomike në nivelin e 4 deri në 4.5% ka dhënë edhe mungesa e energjisë elektrike si dhe mbyllja e lojërave të fatit. “Krahasuar me vitin e kaluar, të ardhurat nga taksat nacionale kanë pësuar rënie në masën 6.1 për qind apo 2.2 miliardë lekë. Diferenca kryesore krahasuar me një vit më parë lidhet me shfuqizimin e pjesës dërrmuese të lojërave të fatit”, thuhet në dokumentet shoqëruese të projektligjit.

 

Ndër vendet fqinje Shqipëria renditet e parafundit për rritjen ekonomike, duke lënë pas vetëm Turqinë që ka pasur një ecuri pozitive me vetëm 0.9%. Këtë vit parashikimet janë më të zymta pasi vendi do të hyjë në një recesion të ndjeshëm si pasojë e pandemisë COVID-19, që ka ndryshuar 3 herë buxhetin e 2020, ndërkohë që nevojat për financim vijojnë të jenë në rritje./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat